Një ndërprerje masive e energjisë elektrike që zgjat disa ditë mund të paralizojë jo vetëm ndriçimin, por edhe furnizimin me ujë, komunikimet, transportin, bankat dhe shërbimet e urgjencës. Britania e Madhe po përgatitet për këtë skenar ekstrem, të njohur si “Black Sky”, ndërsa BBC ka ngritur një plan të posaçëm për të vazhduar transmetimet edhe në rast të një kolapsi të infrastrukturës elektrike.
Sipas një investigimi të BBC, autoritetet britanike dhe ekspertët e sigurisë civile po përqendrohen te aftësia e vendit për të përballuar të paktën 72 orë pa furnizim normal me energji dhe pa shërbimet që varen prej saj.
Një ndërprerje e tillë nuk do të nënkuptonte thjesht fikjen e dritave. Pompat elektrike të ujësjellësve mund të ndalonin, kanalizimet të dilnin jashtë funksionit, bankomatet dhe pikat e karburantit të mbylleshin, ndërsa telefonia celulare dhe interneti mund të ndërpriteshin.
Për të kuptuar përmasat e rrezikut, BBC rikthen ngjarjen e 5 dhjetorit 2015 në Lancaster, kur përmbytja e lumit Lune la 61 500 njerëz pa energji elektrike. Brenda pak orësh qyteti u gjend pa ndriçim, ngrohje, semaforë, shërbime bankare dhe pjesërisht pa ujë.
Profesori Roger Kemp, ekspert i sistemeve elektrike në Universitetin e Lancasterit, e përshkroi situatën si një skenë nga filmat me zombie, ku qytetarët kërkonin sinjal telefonik dhe formonin radhë para të vetmes kabinë telefonike që funksiononte.
Në atë krizë, burimi më i besueshëm i informacionit rezultoi radioja FM, një teknologji e vjetër që mund të vazhdonte transmetimet falë gjeneratorëve.
Plani i BBC për ditën kur gjithçka të ndalet
BBC ka përgatitur një sistem emergjence që do të aktivizohej në rast të një ndërprerjeje katastrofike të energjisë.
Rreth 100 punonjës do të angazhoheshin në një studio të posaçme radiofonike, të pajisur me linja komunikimi të sigurta, të pavarura nga interneti, si dhe me rezerva ushqimi, uji dhe karburanti për të paktën tri ditë.
Përmes frekuencave FM do të transmetoheshin udhëzime zyrtare për popullsinë, përfshirë sasinë e ujit që duhet konsumuar dhe mënyrat e menaxhimit të mbetjeve sanitare në rast se sistemet e kanalizimeve nuk funksionojnë.
Transmetuesit do të mbështeteshin te gjeneratorët me naftë, ndërsa gazetarët do të komunikonin përmes telefonave satelitorë.
Sipas një burimi brenda BBC, planifikimi fillestar parashikonte pesë deri në shtatë ditë ndërprerje, por vlerësimet më të fundit të operatorit kombëtar britanik të energjisë sugjerojnë se furnizimi mund të rikthehej brenda dy deri në tri ditësh.
70 milionë paund për internetin nga qielli
Qeveria britanike po investon gjithashtu 70 milionë paund për zhvillimin e platformave ajrore në lartësi të mëdha, të cilat mund të ofrojnë lidhje emergjente telefonike dhe internet për të paktën një javë, nëse rrjetet tokësore dalin jashtë funksionit.
Shqetësimet janë shtuar pas ndërprerjes masive të energjisë në Spanjë, Portugali dhe pjesë të Francës në prill 2025, që tregoi se sa të ndërlidhura dhe të cenueshme janë sistemet moderne.
Ekspertët paralajmërojnë se kalimi i shërbimeve të emergjencës drejt teknologjive 4G dhe 5G mund të krijojë vështirësi shtesë në rast se rrjetet celulare ndërpriten.
Ndërkohë, Britania po përgatitet të mbyllë sistemin tradicional të telefonisë me kabllo bakri më 31 janar 2027, pikërisht një nga sistemet që kishte mbetur funksional gjatë krizës së Lancasterit.
Megjithatë, qeveria britanike thekson se vendi ka një nga rrjetet elektrike më të qëndrueshme në botë dhe se në historinë 75-vjeçare të rrjetit kombëtar nuk ka ndodhur asnjë ndërprerje e plotë. Autoritetet sqarojnë se nuk ekziston aktualisht ndonjë kërcënim konkret ndaj sistemit energjetik.
Fushata qeveritare “Be Ready” synon që qytetarët të kenë furnizime të mjaftueshme për të përballuar të paktën tri ditë krize.
Në një botë ku pothuajse gjithçka funksionon me energji elektrike, nga pagesat bankare deri te uji i pijshëm, skenari “Black Sky” ngre një pyetje që shkon përtej Britanisë: çfarë mbetet funksionale kur fiket energjia dhe bashkë me të ndalet infrastruktura digjitale nga e cila varet jeta e përditshme?



