Një tjetër emër nga qeveria shqiptare pritet të shpallet “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deklarata u bë nga analisti Lorenc Vangjeli, në emisionin Top Story me Grida Dumën, ku ai paralajmëroi se zhvillimet që do të pasojnë do të jenë “edhe më të rënda” se ato që janë parë deri më tani.
Sipas Vangjelit, një anëtar aktual i tryezës qeveritare ka refuzuar një kërkesë apo qëndrim të ardhur nga pala amerikane, duke hyrë kështu në “radarin” e SHBA-së. Ai nuk dha emra, por e përshkroi situatën si një “sekret publik” që tashmë qarkullon në Tiranë.
“Është vetëm fillimi. Nisur nga hetimet e mëparshme të SPAK, çfarë duket është shumë më pak se çfarë vjen më pas. Ajo që vjen është më e rëndë… Një tjetër lëvizje tektonike pritet të ndodhë. Është një sekret publik që qarkullon në Tiranë për një tjetër anëtar të tryezës qeveritare, që u ka thënë ‘jo’ amerikanëve. Kanë shumë instrumente për të ndërhyrë, dhe një prej tyre është shpallja non grata”, tha Vangjeli.
Aktualisht, ish-kryeministri Sali Berisha është zyrtari më i lartë shqiptar i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, por deklarata e Vangjelit nënkupton se një tjetër emër nga qeveria aktuale mund t’i shtohet së shpejti listës së zezë amerikane. /gazetajone



