-900-0-1762804009xsulo-halili-770x437-625

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Greqi pak ditë më parë, ku brenda një makine u gjet trupi i një personi i djegur, që sipas mediave greke dyshohet se është shqiptar.

Ekspertët mjeko-ligjor kanë gjetur një objekt metalik brenda trupit të të ndjerit, i cili u gjet i karbonizuar në Skourta, Beoti.  Vlerësohet se mund të jetë një plumb ose një copë plumbi që është çuar në laboratorë dhe nëse konfirmohet, do të thotë që viktima është qëlluar dhe më pas është djegur për të fshehur gjurmët dhe identitetin e tij.

Policia ka marrë një mostër ADN-je nga i afërmi i ndërtuesit nga Shqipëria, i cili supozohet të jetë i ndjeri, për të përcaktuar nëse është ai.

Bëhet fjalë për 27-vjecarin Sulo Astrit Halili nga Becishti Tepelene, i cili rezulton i zhdukur prej pasdites së 4 nëntorit. Ai kishte ikur nga banesa e tij në Halkida dhe prej atëherë nuk ka dhënë shenja jete, ndërkohë që mjeti i tij është gjetur i braktisur në Vilia të Athinës.

Halili ka flokë të shkurtër ngjyrë kafe të errët, sy kafe, është 1.70 m i gjatë dhe është i dobët. Ai ka mjekër dhe një tatuazh në krahun e majtë me dy trëndafila, një yll dhe shkronja.  Ditën që u zhduk, ai mbante veshur një këmishë të zezë, xhinse të zeza Cargo dhe atlete të bardha.

Trupi u gjet i prangosur në sediljen e pasme të një makine të vjedhur në Glifadha, me targa të falsifikuara që i përkisnin një mjeti të ngjashëm në Katerini. Makina është djegur ndoshta dy deri në tre ditë më parë, por ende nuk dihet se kur ka shpërthyer zjarri. Mjeti u vu re nga një gjuetar, i cili njoftoi autoritetet.

Hetuesit grekë nuk përjashtojnë mundësinë që 27-vjeçari të ketë qenë i përfshirë në veprimtari kriminale, ose të ketë rënë rastësisht viktimë e një hakmarrjeje. Rezultatet e analizës së ADN-së pritet të konfirmojnë zyrtarisht identitetin e viktimës në ditët në vijim.