Ndërsa fluturimi i tij nisej nga aeroporti Schiphol i Amsterdamit drejt Kuvajtit përmes Stambollit, kanadezi Andean Medjedovic nuk ishte i vetëdijshëm se stili i tij i jetesës nëpër botë do të ndërpritej së shpejti.
Vetëm dy javë më vonë, më 11 dhjetor 2023, autoritetet holandeze lëshuan një urdhër arresti evropian për atë kohë 21-vjeçarin, duke pretenduar se ai kishte kryer një “hakerim të sofistikuar” që i siguroi 48 milionë dollarë amerikanë në kriptomonedha.
I lindur në Hamilton, në provincën kanadeze të Ontarios, Medjedovic përfundoi shkollën e mesme në moshën 14-vjeçare dhe mori një diplomë masteri në matematikë në moshën 18-vjeçare; nëntë muaj pas lëshimit të urdhrit të arrestimit, ai u arrestua në Serbi.
Dokumentet nga procedurat e ekstradimit në Gjykatën e Lartë të Beogradit, të siguruara nga BIRN dhe programi investigues i CBC-së, The Fifth Estate, ofrojnë një pamje të jashtëzakonshme mbi stilin e jetesës dhe vendndodhjen e një të riu me të paktën 65 milionë dollarë amerikanë në kriptomonedha dhe me disa vende që kërkojnë arrestimin e tij.
Për katër vjet, vendndodhja e Medjedovic ka qenë kryesisht një mister për publikun. Spekulimet online ishin nxitur nga deklaratat e tij për gazetarët, të cilët raportuan për përmendjet e tij të Amerikës së Jugut, ishujt pa emër dhe dhe një burgu “diku në Evropë”.
Që nga zhdukja në fund të vitit 2021, sipas deklaratave të bëra gjatë procedurave serbe, ai ka udhëtuar në Brazil, Dubai, Spanjë dhe vende të tjera në Evropë.
“Mund të jetë në gjendje të bëjë një jetë luksoze”, tha Kyle Armstrong, një ish-agjent i FBI-së që punon në firmën e inteligjencës TRM Labs. “Megjithatë, për të paguar qiranë, për të blerë një makinë, për të udhëtuar, nuk ka shumë vende që janë të gatshme të pranojnë kriptomonedha.”
Megjithatë, Armstrong shtoi: “Ekzistojnë disa mënyra që, nëse ai ka mbuluar gjurmët deri tani, mund të ketë kthyer disa nga milionat e tij në para të thata”.
Medjedovic njihet në botën e kriptomonedhave për përdorimin e supozuar të aftësive të tij në matematikë dhe programimi kompjuterik për të marrë miliona dollarë nga dy platforma tregtimi kriptomonedhash, por edhe për ndërveprimet me viktimat dhe vëzhguesit online në mënyra që shkelin trendin e hakërëve të kriptomonedhave, ku këta të fundit zakonisht përdorin anonimitetin e teknologjisë për t’u zhdukur në heshtje me fitimet e tyre.
Pak pasi miliona dollarë në kriptovalutë u tërhoqën nga platforma vietnameze KyberSwap, një shfrytëzim që autoritetet amerikane dhe holandeze ia atribuojnë Medjedovic-it, sulmuesi i panjohur i dërgoi një mesazh të dukshëm publikisht firmës: “Negociatat do të fillojnë brenda disa orësh pasi të kem pushuar mirë. Faleminderit.”
KyberSwap ofroi si shpërblim 10 për qind të shumës, një praktikë e zakonshme në incidente të tilla, ku autorit i kërkohet të kthejë një pjesë të kriptomonedhave dhe në këmbim të kësaj mund të largohet pa pasoja.
“Ai e refuzoi këtë menjëherë”, tha Armstrong nga TRM.
Në vend të kësaj, sulmuesi kërkoi të marrë kontroll të plotë mbi platformën Kyber dhe ofroi t’u kthente 50 për qind investitorëve që kishin humbur fonde.
“E di që kjo ndoshta është më pak se ç’kishit dashur. Megjithatë, është gjithashtu më shumë se sa meritoni”, shkroi sulmuesi.
“Ishte një shënim kërkese për shpërblim”, tha Armstrong, duke shtuar se kjo ishte baza për akuzën e shantazhit kundër Medjedovic-it, ngritur nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në një aktakuzë të zbuluar në fillim të vitit 2025.
Hakerimi i KyberSwap në 2023 u krye nga një hotel në Hagë, ku Medjedovic-i u regjistrua me një pasaportë të rreme sllovake, thonë prokurorët holandezë.
Ai “u largua papritur” nga hoteli mëngjesin pas hakerimit, thanë ata, pavarësisht se kishte paguar tashmë për muajin pasardhës. Në atë kohë, ai kishte qenë në arrati për dy vjet.
Në fund të vitit 2021, një gjykatës nga Ontario lëshoi një urdhër arresti për të pasi ai nuk mori pjesë në një çështje civile të iniciuar nga një investitor në një platformë kriptovalute të quajtur Indexed Finance, e cila humbi 16 milionë dollarë amerikanë.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së tha se Medjedovic “përdori metoda të ngjashme” për të shfrytëzuar si Kyber ashtu edhe Indexed. Të dyja mbështeteshin në qindra miliona dollarë të huazuara që përdoreshin për të kryer tregti dhe për të prezantuar në mënyrë të pasaktë ofertën dhe kërkesën për disa kriptomonedha. Të hutuara nga fluksi i madh i aktivitetit tregtar, platformat lejuan blerjen e milionave dollarësh pasuri për pothuajse asgjë.
“Pra, në vend të shkëmbimit dollar për dollar, ai shkëmben një dollar për pasuri me vlerë shumë dollarë”, tha Armstrong.
I kontaktuar nga BIRN dhe The Fifth Estate përmes emailit, Medjedovic u përgjigj: “Kam vetëm një mbrojtje ndaj pretendimeve: ‘Jam racist.’ Ju lutem përfshijeni këtë, kaq kisha, faleminderit.”
Në kodin kompjuterik të përdorur për të kryer sulmet ndaj Indexed dhe KyberSwap është fshehur një term racist për njerëzit me ngjyrë, si dhe një referencë për sulm seksual. Një adresë kriptomonedhe e lidhur me Medjedovic-in gjithashtu përmban një simbol të njohur neo-nazist.
Për sa i përket arrestimit të tij në Serbi dhe kërkesës për ekstradim nga Holanda, Medjedovic i tha Gjykatës së Lartë të Beogradit: “I mohoj të gjitha akuzat e përmendura në kërkesën për ekstradim dhe nuk dëshiroj të shkoj në Holandë”, duke shtuar se “do të doja të kisha fëmijë në Serbi dhe të arrija disa gjëra të tjera këtu.

“Përdora emrin Lorenzo”
“Isha në Holandë në kohën e specifikuar në urdhër-arrestin ndërkombëtar. Isha atje për tre muaj në një udhëtim turistik”, i tha Medjedovic gjykatës së Beogradit në lidhje me vendndodhjen e tij në kohën e sulmit kibernetik të vitit 2023 në KyberSwap.
“Fillimisht vizitova Bosnjën, pastaj Serbinë, pastaj Spanjën dhe nga Spanja shkova në Holandë”, tha ai, duke gjurmuar lëvizjet e tij të mëparshme.
Autoritetet holandeze thonë se gjatë kohës së tij në Holandë, një adresë IP e lidhur me hotelin e tij në Hagë ishte e përfshirë në “aktivitet të dyshimtë” në lidhje me sulmin kibernetik.
Ata gjithashtu thonë se Medjedovic u identifikua për fluturimin e tij nga Holanda me një pasaportë boshnjake dhe se tre ditë më vonë, vetëm dy ditë para ditëlindjes së tij të 21-të, Medjedovic po udhëtonte për në Sarajevë duke përdorur një pasaportë sllovake.
Nuk është e qartë nëse ai udhëtoi apo qëndroi aty midis 26 nëntorit 2023, mbërritjes në Sarajevë dhe një qëndrimi të dukshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe vitin pasardhës.
Medjedovic i tha gjykatës se para arrestimit të tij në Serbi, ai “ishte në Dubai për katër muaj, ku përdorja emrin Lorenzo”. Ai tha gjithashtu se e përdori atë emër për të rezervuar një apartament në Beograd.
“Kur qëndroja në hotele, përdorja emra dhe pasaporta të rreme, konkretisht në Holandë përdorja një pasaportë të rreme sllovake, dhe e bëja këtë për të ruajtur privatësinë time sepse kur tregton kriptovaluta, shpesh bëhesh shënjestër e kriminelëve”, tha ai.
Në aktakuzën e saj, SHBA-ja pretendon se Medjedovic ka mbajtur dosje në të cilat shkruante “hap një llogari të re bankare me një dokument identifikimi të rremë” dhe “porosit dokumente online (ruse + braziliane + shtetas amerikan)”.
Gjithashtu thuhet se Medjedovic “i dokumentoi planet dhe metodat e tij për të pastruar të ardhurat kriminale në një dosje të titulluar: “moneyMovementSystem”. Dosja përmbante një “procedurë operative” hap pas hapi për zhvendosjen e kriptomonedhave përmes një mikseri, një mjet për të fshehur se ku po zhvendosen kriptomonedhat dhe nga kanë ardhur ato.
Ndërsa Medjedovic ndodhej në Burgun e Qarkut të Beogradit, kriptovaluta me vlerë më shumë se 6 milionë dollarë amerikanë të lidhura me shfrytëzimet e tij të dyshuara u zhvendosën në një mikser kriptomonedhash të quajtur Tornado Cash.
Autoritetet holandeze e kanë akuzuar Medjedovic-in për pastrim parash dhe në mënyrë specifike theksojnë përdorimin e tij të dyshuar të Tornado Cash para arrestimit të tij.
“Besohet se është i lirë në Bosnjë”

Pas 105 ditësh në paraburgim në Serbi, Medjedovic u lirua më 22 nëntor 2024.
Në vendimin e saj që hodhi poshtë kërkesën holandeze për ekstradim, Gjykata e Lartë e Beogradit deklaroi se prokurorët holandezë nuk kishin provuar mjaftueshëm se Medjedovic ishte autori i krimeve dhe se edhe nëse ishte, këto krime mbartnin një dënim shumë të lehtë brenda vendit për të qenë të denjë për ekstradim.
Dosjet e pa raportuara më parë nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së tregojnë se ai po vëzhgonte lëvizjet e tij të ardhshme dhe se ai mund të jetë larguar shpejt nga Serbia për në Bosnjën dhe Hercegovinën fqinje.
“I pandehuri besohet se është i lirë në Bosnjë”, shkroi Departamenti i Drejtësisë më 17 janar 2025, dy muaj pas lirimit të tij.
Prindërit e Medjedovic-it kanë rrënjë boshnjake dhe ende kanë të afërm të ngushtë në vend.
Emailet midis Medjedovic-it dhe babait të tij tregojnë se ai kërkon dokumentet boshnjake të identifikimit të të prindërve të tij në mënyrë që të mund të “merrte shtetësi në një vend tjetër”.
The fifth estate dhe BIRN morën të dhëna që tregojnë se disa muaj pasi filloi ai zinxhir emailesh, Medjedovic-i listoi një adresë në Ilidza, një periferi të kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë, në një aplikim për pasaportë.
Këto emaile dolën në sipërfaqe si pjesë e çështjes civile kundër tij në Ontario të nisur nga një investitor në firmën e kriptomonedhave Indexed Finance, e cila humbi 16 milionë dollarë amerikanë në tetor 2021.
Lidhur me atë çështje civile, Medjedovic i tha gjykatës serbe: “Procedura u iniciua tre vjet më parë në kohën kur isha në Brazil, kështu që në tre vitet e fundit nuk kam shkuar fare në Kanada.”
“Ka disa shqetësime”

Sipas një raporti në The Globe and Mail në vitin 2016, Medjedovic, atëherë 13 vjeç, ishte në një klasë menaxhimi të dhënash në klasën e dymbëdhjetë në shkollën në Hamilton dhe kishte përfunduar matematikën e klasës së nëntë dhe të dhjetë ndërsa ishte ende në shkollën fillore.
Një kronikë televizive lokale nga viti 2017 e përshkroi Medjedovic-in si nxënësin më të ri që ka mbaruar ndonjëherë shkollën e mesme në distriktin shkollor publik të qytetit.
“Nuk ndihem realisht ndryshe nga nxënësit e rregullt të shkollës së mesme”, tha ai në kronikë, ndërsa babai i tij tha për rrugën e tij në shkollë: “Ka disa shqetësime, por shpresojmë për më të mirën”.
Pas katër vitesh në Universitetin e Vaterlosë, Medjedovic kishte një diplomë master në matematikë. Por që në shkollë, ai po linte një gjurmë online që Indexed Finance dhe detektivët online do ta përdornin për ta lidhur atë me sulmin e vitit 2021.
Bota e kriptomonedhave është përgjithësisht me pseudonime, por e dukshme publikisht. Kjo do të thotë që kushdo mund të shohë se adresa A dërgoi Bitcoin te adresa B, por nuk është menjëherë e qartë se kush janë A dhe B.
Kur Indexed Finance humbi fondet, firma fillimisht dinte vetëm se ishte përfshirë një adresë specifike kriptomonedhe.
Duke ndjekur një gjurmë digjitale të detajuar në një postim në blog, detektivët arritën në një llogari në një faqe interneti programimi kompjuterik të quajtur Github me emrin mtheorylord.
Mtheorylord kishte një postim të titulluar “Projekti i Klasës së 12-të”, i cili u zbulua se ishte bërë duke përdorur një adresë emaili nga Bordi Shkollor i Distriktit Hamilton-Uentuorth.
Gjithashtu, në faqen e Ëikipedia-s për Reach for The Top, një shfaqje kuizi për nxënësit e shkollave të mesme kanadezë, llogaria mtheorylord kishte shtuar një ish-nxënës. Pak më poshtë ish-kryeministrit kanadez Stephen Harper, postimi ishte redaktuar për të përfshirë “Andean Medjedovic – matematikan i shquar”.
“Vite më vonë bëmë shaka nëse heqja e tij nga ekipi i Reach ishte fillimi i rrugës së tij si keqbërës”, tha Luka Obrovac, i cili ndihmoi në stërvitjen e ekipit Reach for The Top në Shkollën e Mesme Uestmount kur Medjedovic ishte nxënës në vitin 2016.
“Ai nuk ishte lojtar në ekip”, tha Obrovac. “I mërziste shumë të tjerët.”
“Ai duhet të jetë i përsosur”

Në dhjetor 2025, në kulmin e një hetimi gjashtëmujor, The fifth estate dhe BIRN vizituan ndërtesën jashtë Sarajevës, të cilën Medjedovic-i e kishte listuar si adresën e tij në vitin 2022.
Një gazetar i BIRN i dërgoi foton e Medjedovic-it një përfaqësuesi të ndërtesës, i cili tha se edhe policia e kishte kërkuar atë disa muaj më parë.
“Ata më pyetën të njëjtën gjë si ju”, tha përfaqësuesi në telefon. “Më sollën një foto dhe më pyetën nëse e njihja rastësisht këtë djalë, nëse e kisha parë. Nuk e kisha parë.”
Burime policore konfirmuan se oficerët e policisë boshnjake dhe prokurorët holandezë ishin përpjekur ta arrestonin Medjedovic-in.
Agjencia Shtetërore e Hetimit dhe Mbrojtjes e Bosnjës tha se kishte vepruar me një urdhër të gjykatës boshnjake. Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e drejtoi BIRN te Zyra e Prokurorit të Shtetit, e cila tha se nuk kishte asnjë çështje të hapur kundër Medjedovic-it.
Megjithatë, në nivelin e Kantonit të Sarajevës, një nga 10 kantonet në entitetin e Federatës së Bosnjës, prokurorët thanë se më 12 janar 2024, Administrata e Policisë së Federatës informoi prokurorët rreth qëndrimit të Medjedovic-it në Bosnje dhe mashtrimit të mundshëm të identitetit. Prokuroria tha se kërkoi më shumë informacione dhe që policia të hetonte më tej. Ministri i brendshëm i entitetit, Ramo Isak, tha se nuk ishte në gjendje të ndante më shumë detaje.
Pastaj, në ditët e fundit të vitit 2025, miliona dollarë në kriptomonedha të lidhura me Medjedovic-in, të cilat kishin qëndruar në heshtje për gati 440 ditë, u zhvendosën në blockchain.
Fondet ishin shkëmbyer nga një sërë kriptomonedhash në Ethereum, gjë që sinjalizoi se mund të zhvendosej në një mikser si Tornado Cash, sipas disa vëzhguesve online.
Megjithatë, që nga botimi i këtij artikulli, fondet nuk janë zhvendosur që atëherë.
“Ai duhet të jetë i përsosur”, tha Kyle Armstrong. “Nga këtu e deri në përjetësi, ai duhet të jetë i përsosur në fshehjen e të ardhurave të këtij shfrytëzimi të cilat po gjurmohen.”
Ndërsa vëzhguesi mesatar nuk është në gjendje ta gjurmojë kriptomonedhën përmes një mjeti si Tornado Cash, softuerët nga kompani si TRM Labs e bëjnë të mundur këtë.
“Nuk po i bë vetes asnjë nder me gjykatën apo me prokurorët duke ndenjur në arrati kaq gjatë sa ai”, tha Ari Redbord, kreu global i politikave në TRM.
“Realiteti është se në një moment do të duhet të paraqitesh, të pranosh përgjegjësinë dhe ndoshta të bësh gjithçka që mundesh për të ndihmuar qeverinë”, tha ai, gjë që mund të përfshijë kthimin e fondeve dhe marrjen e përgjegjësisë për skemat.
Nëse nuk bashkëpunon, “ai mund të bëjë më shumë se 10 vjet” burg, tha Redbord./BIRN/



