Një shofer shqiptar ka pranuar se shkaktoi vdekjen e një dentisti të pensionuar 89-vjeçar në një aksident që tronditi komunitetin e Gillinghamit, Kent. Viktima, Thomas Wallace, u godit nga një Mercedes gri estate rreth orës 12:00 më 29 dhjetor të vitit të kaluar. Trupi i tij u gjet pothuajse një milje larg vendit ku u godit, në Grange Road, Medway.
Shoferi shqiptar, 29-vjeçari Albert Matraxhiu nga Edgware, Londër, së bashku me pasagjerin e tij po shqiptar, Erald Paci, 29 vjeç nga Chatham, Kent, braktisën makinën dhe më pas hodhën telefonat, rrobat dhe targat e automjetit. Të dy shqiptarët u paraqitën në Maidstone Crown Court për të dhënë versionet e tyre. Albert Matraxhiu mohoi se kishte shkaktuar vdekjen nga drejtimi i mjetit në mënyrë të rrezikshme, por pranoi një akuzë më të butë, për shkaktim të vdekjes nga drejtimi i pakujdesshëm.
Si Albert Matraxhiu ashtu edhe Erald Paci pranuan gjithashtu se kishin vepruar me qëllim që mos zbulohej ngjarja, menjëherë pas aksidentit. Të dy u vendosën në paraburgim. Gjyqtari Julian Smith e përshkroi ngjarjen si me rrethana të jashtëzakonshme, duke theksuar se makina kishte vazhduar të lëvizë me Wallace-n mbi makinë për pothuajse një kilometër, para se ai të binte në rrugë.
Albert Matraxhiu do të përballet në gjyq për akuzën “shkaktim të vdekjes nga drejtimi i rrezikshëm” më 13 korrik. Ai po ashtu akuzohet për drejtim pa sigurim, drejtim në kundërshtim me lejen, mosndalim pas aksidenti dhe mosraportim të aksidentit.
Të dy shqiptarët kanë status imigrant të papërcaktuar. Erald Paci është deportuar më parë nga Britania e Madhe dhe po priste vendimin e Home Office, ndërsa Albert Matraxhiu ka status imigrant i refuzuar.
Familja e Wallace-s, disa prej të cilëve ishin në sallën e gjyqit, lëshoi një deklaratë përmes policisë duke theksuar se ai ishte bërë së fundmi stërgjysh. “Ai ishte një anëtar i respektuar dhe i dashur i komunitetit dhe meritonte një fund më të mirë të jetës së tij sesa ky”, thanë ata.



