Gjendja shëndetësore e Sokol Dacit, berberit 30-vjeçar që mbeti i plagosur aksidentalisht në atentatin në Lezhë, është përmirësuar. 30-vjeçari është koshient, por vazhdon i intubuar në reanimacion.
Sipas mjekëve, plagët e shkaktuara në pjesën e barkut, janë ata të cilat e rëndojnë më shumë gjendjen e të plagosurit. I riu ka marrë katër plumba në trup.
Ai ishte “viktimë” e pafajshme e ngjarjes pasi ndodhej në vendin e tij të punës, në berberhanen në Rrilë të Lezhës. Ai së fundmi ishte bërë edhe prind dhe është baba i një fëmije 7-muajsh.
Lidhur me ngjarjen policia e Lezhës shpalli në kërkim 4 persona, tre të rinj nga fisi Ndoka dhe Merando Nikulajn që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit dhe ndodhej brenda në berberhane, i shoqëruar nga polici Besart Kovaçi, i cili u ndalua me urdhër të prokurorisë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Merando Nikulaj ka qenë bashkë me policin Kovaçi, duke darkuar dhe pasi kanë përfunduar darkën kanë shkuar në Rrilë për t’u qethur. Dyshohet se autorët të cilët kanë qenë me dy automjete, një “Audi” dhe “Passat” i kanë vëzhguar dhe kanë ndjekur lëvizjet e tyre deri kur kanë mbërritur në berberhane dhe më pas kanë ndaluar duke zbritur nga makinat, disa prej tyre mbanin shkopinj bejsbolli me vete. Dy prej tyre kanë qëlluar me armë zjarri.
Ndërkohë ka pasur edhe shkëmbim zjarri, polici në berberhane është kundërpërgjigjur, por brenda është gjetur një çantë krahu me një krehër, por ishin hequr kartat e identitetit. Ka dyshime për një armë të dytë të përdorur nga personat që ndodheshin brenda në berberhane.
Shkaqet e ngjarjes dyshohet një konflikt midis të rinjve të fisit Nikulaj dhe Ndoka të ndodhur në 9 mars 2025 në Shëngjin. Ngjarja e cila asokohe nuk u hetua siç duhet nga policia, e cila zyrtarisht deklaroi se ishte aksident rrugor.



