Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama për heqjen e masës së pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas një mbledhjeje maratonë që zgjati mbi 10 orë.
Vendimmarrja u mbyll me votim 4 me 4, çka sipas Kushtetutës do të thotë mungesë e shumicës së nevojshme dhe rrjedhimisht rrëzim automatik i ankimit të kryeministrit, duke lënë në fuqi masën e vendosur nga GJKKO.
Katër gjyqtarët e Kushtetueses që votuan pro Ramës: Marjana Semini, Gent Ibrahimi, Sonila Bejtja dhe Fjona Papajorgji. Ata vlerësuan se masa e pezullimit nga detyra e një anëtari të Këshillit të Ministrave, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë që ka në funksionimin e pushtetit ekzekutiv, kërkon autorizim paraprak nga Kuvendi.
Katër gjyqtarët që votuan kundër Ramës: Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Sandër Beci dhe Asim Vokshi. Ata argumentuan se, Kushtetuta, pas reformës së vitit 2012, ka ngushtuar imunitetin dhe parashikon autorizim të Kuvendit vetëm për masat procedurale të listuara shprehimisht në nenin 73, pika 2. Në këtë nen nuk përfshihet masa e pezullimit nga detyra, ndaj sipas këtij interpretimi, GJKKO kishte të drejtë ta vendoste pa leje të Kuvendit.
Belinda Balluku ishte pezulluar nga detyra më 20 nëntor 2025 me kërkesë të SPAK, nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera në vlerë mbi 200 milionë euro, përfshirë tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe procedura të tjera të lidhura me Unazën e Madhe.
Pas këtij vendimi, kryeministri Rama e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se GJKKO kishte cenuar kompetencat e tij si kryeministër. Ky pretendim nuk mori mbështetjen e nevojshme në Kushtetuese.
Tashmë, pas këtij vendimi, pritet zhvillimi i procedurave të mëtejshme në Kuvend, lidhur me kërkesën e SPAK për arrestimin e Balluku.



