Në seancën e mbajtur këtë të mërkurë në kuadër të procesit gjyqësor për vrasjen e Liridona Ademajt, u trajtuan edhe çështje që lidhen me borxhet dhe marrëveshjet financiare të të akuzuarve. Para trupit gjykues doli Naim Murseli, teksa gjatë shqyrtimit u përmend edhe një parakontratë për një borxh prej 100 mijë eurosh mes tij dhe biznesmenit Behgjet Pacolli.
Lidhur me këtë “borxh” ka reaguar edhe vetë biznesmeni Pacolli, i cili ka treguar dhe mënyrat se si Murseli ia ktheu një pjesë të borxhit.
Ai ka bërë me dije se nga shuma prej 100 mijë euro, familja i kishte kthyer 12 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër ishte kompensuar përmes punëve që Naim Murseli kishte kryer për kompani dhe organizata që lidhen me grupin Mabetex, Fondacionin BP dhe disa platforma në rrjetet sociale. Sipas tij, këto angazhime kishin të bënin kryesisht me mirëmbajtjen e faqeve të internetit.
“Sot është mbajtur një seancë në kuadër të procesit gjyqësor kundër Naim Murselit. Ndër të tjera, është diskutuar edhe për një kredi të garantuar nga unë për familjen Murseli (Liridona dhe Naimi).
Sot, shumë media të interesuara për këtë çështje kërkuan informacione dhe, në këtë kuadër, u sqarua se familja Murseli, në atë kohë, kishte blerë një lokal në Uddevalla, ku kishte punuar edhe e ndjera Liridona.
Nga kjo kredi, familja Murseli ka kthyer në para të gatshme më pak se 12,000 euro, por Naimi, në atë kohë ka kryer edhe punë në KOMPENSIM, kryesisht në mirëmbajtjen e faqeve të internetit të kompanive të grupit Mabetex, të Fondacionit BP dhe të disa platformave në rrjetet sociale. Nuk besoj se kjo shumë është këthyar në tërësi por nga ana ime nuk ka pas asnjë trusni për ndonjë këthim urgjent”, shkruan Pacolli.
Ditën e sotme u mbajt seanca e radhës gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar si autorët që i morën jetën Liridona Ademajt.
Në seancën e sotme u përmend dhe emri i miliarderit të njohur, Behgjet Pacollit pasi u zbulua se Murseli i kishte 100 mijë euro borxh këtij të fundit.
“Po, kjo është kontratë borxhi. E vërtetë në mes meje dhe zotit Pacolli. Shuma 100 mijë euro dhe thotë këtu ka normë interesi vjetor prej 0%, dhe nuk tregon kur ka qenë afati i shlyerjes së borxhit. Borxhi ka ekzistuar por është shlyer në mënyra tjera Nuk është dokument i noterizuar por është parakontratë”, deklaroi Murseli.



