Situata në aksin kombëtar pranë zonës “Arrat e Gurrës”, në fshatin Dragostunjë të Librazhd, është përkeqësuar, pasi ura në këtë segment ka pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe është shpallur zyrtarisht e pakalueshme.
Sipas Drejtorit të Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, struktura e urës ka humbur parametrat e sigurisë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve mbi të.
Në këto kushte, është marrë vendimi për demontimin e saj, si masë emergjente për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
Ndërsa qytetarët përballen me rrugë të pakalueshme, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: si mund të degradojnë kaq shpejt investime që kanë kushtuar qindra milionë euro?
Ky nuk është më vetëm problem teknik. Është një krizë që lidh cilësinë e punimeve, mungesën e mirëmbajtjes dhe dyshimet për korrupsion, një kombinim që sot po paguhet nga drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonave të prekura.
Për këtë skandal që ka izoluar juglindjen e Shqipërisë ka reaguar deputeti i Librazhdit për disa mandate, Taulant Balla.
Deputeti Balla bën fajtor urën e cila sipas tij ka 30 vite që është ndërtuar.
Reagimi i Ballës: Dhjetëra makineri të rënda po punojnë intensivisht dhe pandërprerje për krijimin e një kalimi alternativ në aksin Librazhd-Prrenjas, pas dëmtimit të një ure 30 vjeçare pranë Dragostunjës.

Kujtojmë se shembjet dhe çarjet e asfaltit në aksin Librazhd-Pogradec janë krijua prej thuajse 2 javësh, megjithatë autoritetet nuk e morën seriozisht situatën.
Shembjet janë serioze duke rrezikuar shtyllën e tensionit të lart që është në afërsi të saj, madje edhe urën, për të cilën ARRSH vendosi ta demontojë.
Problematikat në këtë aks kanë qenë të shumta, pasi në kohët me shira, ruga bllokohej nga dherat, masivet shkëmbore, çka e bënte të pakalueshme.



