Protesta e 5-të e Partisë Demokratike ditën e sotme (28 shkurt) ishte në formë marshimi në “pikat më të korruptuara”, konkretisht te Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Drejtoria e Policisë Tiranë, selia e Kuvendit dhe për ta mbyllur tek vila e ish-diktatorit Enver Hoxha në Bllok të cilës iu vu flaka me bomba molotov dhe fishekzjarre.
Protestuesit u shfaqën duke mbajtur pankarta me mesazhe të drejtpërdrejta kundër Belinda Ballukut teksa brohorasin “Rama ik” dhe “Rama në burg”.
Opozita kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe ngritjen e një qeverie teknike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Marshimi i shoqëruar me molotovë të shumtë nga protestuesit e revoltuar u përball me “gardhe” policie të cilët u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me piper.
Sali Berisha është sulmuar me topa uji, ndërkohë pre e dhunës policore ranë edhe dhjetëra qytetarë të tjerë.
I lënduar ka mbetur deputeti Luçiano Boçi për shkak të sprajit të hedhur dhe një qytetar i cili shihet i shtrirë në tokë pasi ka humbur ndjenjat.


Pas përplasjeve, policia ka shoqëruar me dhunë disa prej protestuesve.
Irritohet qeveria Rama
Pas bombave molotovë, Edi Rama ka ironizuar protestën e opozitës ku, në një postim në rrjetin social X, ka ndarë dy fotografi nga sulmet amerikano-izraelite në Teheran, si edhe një kosh që ka marrë flakë nga molotovët që hodhën protestuesit në Tiranë.
Ai shkruan se ndërsa është me botën e lirë kundër regjimit të Iranit, opozita shqiptare është me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës.
Por në fakt, molotovi tek koshat e plehrave ishte një revoltë ndaj Edi Ramës dhe inceneratorëve fantazmë që vetëm marrin lekët e shqiptarëve, ndërkohë që plehrat janë bërë pirg.

“Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës“, shkroi Rama.
Ndërkohë, ministrja e Brendshme në detyrë, Albana Koçiu e quan provokim marshimin. Në një reagim zyrtar, Koçiu thotë se të shkosh me molotov në Drejtorinë e Policisë është një dëshirë e ethshme për përshkallëzim.
Duke iu drejtuar Berishës, ajo thotë se duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish.
“Të shkosh me molotovë në duar drejt godinës së Policisë së Shtetit nuk është një akt proteste, por një provokim i hapur dhe një dëshirë e ethshme për përshkallëzim, duke tentuar të delegjitimohet forca e ligjit përballë presionit të rrugës.
Marshojnë si çlirimtarë në rrugët e kryeqytetit, ndërkohë që janë po ata vetë që shqiptarët i kanë lënë jashtë rrugës së politikës me votë.
Duke u fshehur pas bandës së molotovëve, ky Don Kishot që grindet me koshat e mbeturinave si me mullinjtë e erës, e ka kthyer partinë e parë pluraliste në një repart zjarrvënësish.
Ky zjarr nuk djeg dot asnjë reformë dhe as të ardhmen europiane të Shqipërisë, por vetëm mbetjet e fundit të një opozite që nuk di më as kush është, as ku po shkon dhe as pse po bërtet”, thuhet në reagimin e ministres së Brendshme në detyrë.
Berisha: Ilir Proda, mercenar i Edi Ramës
‘Asgjë nuk e mbron Edi Ramën nga kjo revoltë popullore’, deklaroi kryetari i PD-së Sali Berisha për gazetarët.
Ai tha se kryengritja paqësore e opozitës ka formën e një marshimi revoltë proteste në rrugët e Tiranës për të shprehur zemërimin popullor ndaj kreut të organizatës kriminale të qeverisë shqiptare dhe anëtarëve të saj.
“Pra, kryengritja paqësore e opozitës sot ka formën e një marshimi revoltë proteste në rrugët e Tiranës për të shprehur zemërimin popullor ndaj kreut të organizatës kriminale të qeverisë shqiptare dhe anëtarëve të saj.
Pra, për t’i thënë Edi Ramës se jo një Lubi, po edhe 30 Lubi po të largohesh, do jesh ti dhe vetëm ti objekti kryesor i revoltës popullore.
Do të jetë Edi Rama dhe vetëm Edi Rama kazus i betejës tonë gjer në largimin e tij.
Është Edi Rama gjeneratori i të gjitha të këqijave të lidhura me regjimin e tij.
Ndaj dhe, largimi i njërit apo tjetrit, përbëjnë vetëm përpjekje të dëshpëruara të tij për të ruajtur lëkurën e tij.
Asgjë nuk e mbron atë nga revolta popullore.
…E ka ndonjë element të tillë… janë shpërthime të revoltës.”– tha Berisha.

Berisha shpjegoi dhe arsyen pse marshimi protestë po drejtohet drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku në fakt u ndeshën me një gardh policor e më pas gaz lotsjellës e ujë me piper.
“Aty është një nga kryebanditët e narkoshtetit që quhet Ilir Proda. Ndaj dhe shkon revolta, kryengritja për t’i thënë që aq sa ka të ardhme Edi Rama, aq ke edhe ti. Je një shërbëtor, një mercenar i tij.Aty është natyrisht në zyrën e tij edhe Ergys Agasi. Janë bashkë ata.
Ndaj dhe shkojmë aty për t’i shënjuar.Kjo nuk është ndaj policëve të thjeshtë, ju e keni parë qëndrimin tonë ndaj tyre, por ndaj këtij banditi që përbën dhe një nga njerëzit më të rrezikshëm të narkoshtetit. Ne shkojmë gjer atje.”, tha ai.



