Ka njerëz që e kuptojnë shpejt. Ka të tjerë që e kuptojnë pak më vonë. Dhe pastaj është rasti i Jola Hysajt, të cilës iu deshën plot 20 vite në Partinë Demokratike për të zbuluar një sekret që në politikën shqiptare qarkullon prej dekadash: meritokracia nuk është gjithmonë kriteri kryesor.
Pasi nuk arriti të kualifikohej në garën për Avokatin e Popullit dhe pasi mbeti jashtë edhe listave të mbyllura për përfaqësim, Hysaj vendosi të largohet nga PD. Jo në heshtje, por me një status të gjatë në Facebook, ku rendit një seri ankesash për mënyrën si funksionon partia.
Sipas saj, funksioni që mbante si sekretare për marrëdhëniet me publikun ishte zbrazur nga kompetencat reale. Përfaqësimi në këshillat bashkiakë, thotë ajo, nuk u dha njerëzve me kontribut, ndërsa listat për qarkun e Durrësit u hartuan në një mënyrë që la jashtë figura që kishin punuar për vite në terren.
Në statusin e saj, Hysaj kritikon edhe mënyrën si opozita menaxhoi procesin për Avokatin e Popullit, duke e quajtur një gabim politik dhe institucional. Problemi, sipas saj, është më i thellë: një parti që vendimet i merr në një rreth të ngushtë dhe ku edhe anëtarët e Kryesisë i mësojnë nga mediat.
Me pak fjalë, pas dy dekadash angazhimi, ajo ka arritur në përfundimin se partia nuk është aq e hapur dhe meritokratike sa duhet të ishte.



