Foto ilustruese
Preparate të skaduara prej dy vitesh, çfarë gjeti policia te Golden Dental dhe pse u arrestua pronari Ervin Zeka
Në një operacion të zhvilluar dje në Tiranë, policia ka zbuluar përdorimin e materialeve dentare të skaduara në një klinikë private, duke vënë në rrezik shëndetin e pacientëve dhe duke çuar në arrestimin e administratorit dhe një stomatologu.
Bëhet fjalë për klinikën “Golden Dental & Aesthetic”, e cila operonte në Rrugën e Kavajës dhe ofronte një gamë të gjerë shërbimesh, nga terapia dhe ortodoncia deri te implantet dhe ndërhyrjet kirurgjikale. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në bashkëpunim me strukturat e hetimit ekonomik dhe forcat “Shqiponja”, u gjetën dhe u sekuestruan një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara, të përdorura në trajtimin e pacientëve.
Në pranga përfundoi administratori i klinikës, 40-vjeçari Ervin Zeka, si dhe stomatologu 26-vjeçar Kejdi Myzyri. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se aktiviteti i subjektit nuk përfshinte vetëm përdorimin e materialeve të rrezikshme, por edhe shkelje të tjera serioze ligjore.
Autoritetet bëjnë me dije se ndaj tyre rëndojnë disa akuza, përfshirë “Prodhimin dhe tregtimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimin e paligjshëm” dhe “Fshehjen e të ardhurave”.
Operacioni, i koduar “Siguria Dentare”, çoi gjithashtu në procedimin në gjendje të lirë të 12 punonjësve të tjerë të klinikës, ndërsa materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme.
Rasti ngre shqetësime serioze për kontrollin dhe standardet në klinikat private, pasi përdorimi i materialeve të skaduara në ndërhyrje dentare përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e pacientëve dhe sigurinë publike. /gazetajone



