IMG_9187

Një kontrast i fortë mes hetimeve penale dhe përfitimit nga fondet publike del në pah në rastin e dy vëllezërve Hoxha, ku njëri përballet me drejtësinë, ndërsa tjetri vijon karrierën në nivelet më të larta shtetërore.

Bëhet fjalë për Ferit Hoxha dhe Gëzim Hoxha, emrat e të cilëve janë shfaqur paralelisht në zhvillime të ndryshme, njëri në diplomaci dhe tjetri në çështje që po hetohen nga SPAK.

Sipas të dhënave të bëra publike nga organi i akuzës, biznesmeni Gëzim Hoxha është nën hetim për disa vepra të rënda penale, përfshirë dyshime për pastrim parash dhe përfshirje në një strukturë të organizuar kriminale që lidhet me procedura prokurimi publik. Ndërkohë, kompania e tij rezulton fituese në disa tendera të rëndësishëm shtetërorë.

Një nga rastet lidhet me një procedurë të zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për auditimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të sigurisë së informacionit. Në këtë garë, kompania “FIRST” e Gëzim Hoxhës është shpallur fituese me një ofertë më të lartë se një konkurrent tjetër, i cili ishte paraqitur me çmim më të ulët, por u skualifikua për mungesë të eksperiencës së ngjashme.

Një tjetër procedurë, me fond më të lartë, për mirëmbajtjen e moduleve ekzistuese të institucionit, ka nxjerrë sërish në skenë emrin e të njëjtit biznesmen. Në këtë rast, oferta e tij rezulton ndër më të lartat, ndërsa procesi është përfshirë në ankim dhe po shqyrtohet nga Komisioni i Prokurimit Publik.

Ndërkohë, hetimet e SPAK zbulojnë një rrjet më të gjerë aktivitetesh financiare, ku përmenden transaksione dhe lidhje me subjekte të tjera të përfshira në dosjen e njohur si ajo e AKSHI. Në këtë dosje përmenden dyshime për faturime fiktive dhe përfitime të paligjshme nga tenderë të paracaktuar.

Po ashtu, në materialet hetimore përmenden edhe krijimi i disa kompanive të reja në zonën e Xhafzotajt, brenda projektit të njohur si Durana Tech Park, të cilat dyshohet se përdoren për qarkullim fondesh dhe aktivitete financiare të paqarta.

Ndaj Gëzim Hoxhës është vendosur masa e ndalimit të daljes jashtë vendit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e tij në këtë skemë dhe për të përcaktuar përmasat reale të përfitimeve nga fondet publike.

Rasti ngre pikëpyetje mbi funksionimin e procedurave të prokurimit dhe kontrollin institucional, në një kohë kur emra të përfshirë në hetime vijojnë të përfitojnë kontrata publike me vlera të konsiderueshme./gazetajone