-900-0-1775576449x640-0-e71dd9bb45469634a39719ff5ae89a7d-609

Komisioni i Ligjeve diskutoi projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, duke u fokusuar te mekanizmi i bllokimit 72-orësh të llogarive bankare kur ka dyshime se transaksionet mund të jenë të kundërligjshme.

Entila Zyba, përfaqësuesja e Drejtorisë së Koordinimit dhe Çështjet Juridike të Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF), sqaroi se urdhri i bllokimit ka efekt vetëm 72 orë. Pas këtij afati, vendimin e merr prokuroria: “Një nga mekanizmat më të rëndësishëm që ka institucioni, që të parandalohet pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit. Ky lloj bllokimi bëhet kur ka dyshime dhe fakte bazike që na orientojnë drejt një pastrimi të mundshëm të parave. Ky urdhër bllokimi ka afat 72 orë; pas këtyre orëve fjala është e prokurorit, që të nxjerrë një urdhër. Pas 72 orëve urdhri i agjencisë s’ka më fuqi juridike, duhet urdhri i prokurorit”.

Ndërkohë, anëtarët e komisionit, të majtë e të djathtë ranë dakord se problemi kryesor është moszhbllokimi i llogarive pas 72 orësh, kur prokuroria nuk ndërmerr veprime. Kjo ka çuar në bllokime të llogarive për vite, ndaj u propozua një riformulim i nenit 7 për të sqaruar zbatimin e ligjit. Por, gjatë votimit të projektligjit, u regjistruan përplasje mes Ulsi Manjës dhe Oerd Bylykbashit, ku ky i fundit theksoi se pastrimi i parave është një nga faktorët që po pengon procesin e integrimit në BE, sipas opozitës.

Megjithatë, projektligji u miratua, ndërsa komisioni do të dërgojë sugjerimin për riformulimin e nenit për bllokimin e llogarive pas 72 orësh, për të garantuar zbatim korrekt të ligjit.

Bëhet fjalë për ligjin, i konsideruar i rëndësishëm, pasi kontrollon transaksionet e dyshimta. Komisioni propozon ndryshimin e ligjit në mënyrë që procedura e bllokimit të pasurive të jetë më e qartë dhe të respektohet afati prej 72 orësh (kush merr vendimin, në çfarë kohë dhe si njoftohet pronari i llogarisë).