Ish-ministri i Financave Arben Malaj, i cili ka shprehur dëshirën për të kandiduar në zgjedhjet për kryebashkiak të Vlorës, ka paralajmëruar se Rama dhe Berisha kanë hedhur në diskutim që kryetarët e bashkive të zgjidhen nga këshilli bashkiak dhe jo nga qytetarët. Ai tha se dyshja Rama-Berisha po bëjnë të gjë sikurse vepruan me ndryshimet kushtetuese në 2008-ën, duke varrosur demokracinë.
“Arkivolin e demokracisë shqiptare e bënë në 2008-n me ndryshimet kushtetuese vëllezërit siamezë Berisha dhe Rama. Kam të gjitha informacionet që janë duke bërë të njëjtën gjë për demokracinë vendore dhe do shikoni që do arrijnë marrëveshje. Janë duke hedhur në diskutim që kryetarët e bashkive t’i zgjedhë këshillit bashkiak që është defiçit demokratik i rritur. Bota praktikon që dhe anëtarët e këshillit kandidojnë zonë më zonë vetë, jo me listë partie”, u shpreh ai në Off the Record në A2 CNN.
Ai ngriti shqetësimin edhe për ligjin e financimit të partive politike, duke theksuar mungesën e hapësirës për kandidatët e pavarur. Sipas tij, kjo bie ndesh me të drejtën themelore të çdo qytetari për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
“Pashë sot ligjin për financimin e partive politike. E dini ju që nuk ekzistonte asnjë paragraf për konkurruesit e pavarur që është e drejtë, është e drejtë në kartën e të drejtave njerëzore të njeriut në shekuj dhe është e çimentuar edhe në kushtetutën shqiptare, që çdo shqiptar mbi moshën 18 vjeç ka të drejtë të zgjidhet dhe të zgjedhë. Pra, e kuptoni ku po shkojnë dy partitë e mëdha”.
Sipas tij ekziston një përpjekje për të imponuar një sistem me dy parti, pa reflektuar standardet demokratike dhe balancat institucionale që karakterizojnë modelin amerikan.
“Rama e ka ëndërr të krijojë modelin e imponuar amerikan që në Shqipëri duhet të ketë vetëm dy parti politike, por nuk bashkohet dot me kulturën amerikane dhe me sistemin check and balance në Amerikë. Sepse po do Rama të marrë një shembull nga Amerika, të marrë shembullin e George Washington, i cili fitoi dy mandate, ishte heroi i popullit amerikan i vajtën mbështetës së tij thanë zoti president ti munde një mbret dhe meriton të kesh një mandat të tretë. Dhe ai tha unë nuk e munda kurrë një mbret për t’u bërë vetë mbret”.



