lIsh-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar turin e tij të foltoreve në qytetin e Kukësit. Para demokratëve të Kukësit, ai ka kërkuar që kupola e Partisë Demokratike të japë llogari në lidhje me aksionin opozitar dhe premtimet e bëra për rrëzimin e Edi Ramës.
“Të japin llogari drejtuesit, patjetër që do japin llogari. U tha që do e tërhiqnin zvarrë Edi Ramën. As zvarrë nuk e shoh dhe as të tmerruar. Më duket sikur po tallen për shkak të lidershipit të PD-së. U tha se do fitoheshin zgjedhjet lokale. U fitua vetëm në Has”, u shpreh Salianji.
Ervin Salianji kishte edhe një mesazh të fortë për Sali Berishën, ku i kërkoi kryedemokratit të lejojë garën dhe të përballet në zgjedhjet brenda partisë, duke zbatuar statutin.
“Dil dhe përballu në garë. Nuk po kërkojmë të ikësh për shkak të statutit. Po themi jepi mundësinë demokratëve të shprehen me votë, dil e ballafaqohu me premtimet e tua përballë demokratëve. Që të munden autokratët e qeverisë, duhet të munden më parë autokratët e opozitës. Nuk duhet të lejojmë që PD të shkatërrohet”, tha ai.



