800-0-1777059601xwhatsapp-image-2026-04-24-at-184521-1-690

Në fshatin Gjegjan të Kukësit, kompania rumuno-bullgare “Trade Minerals Al” ka detyruar burrat e zonës të bëhen bashkë për të denoncuar krimin mjedisor dhe infrastrukturor që është shkaktuar në zonë. Nga aktiviteti i përditshëm me kamionë të tonazhit të rëndë, është shkatërruar rruga që e lidh minierën me fshatin, është shkatërruar ujësjellësi dhe është ndotur mjedisi.

Nga pluhurat e shumta ka rënë riprodhimi i blegtorisë, bletët janë zhdukur, edhe ai pak ujë që banorët e fshatit e përdorin për të pirë është i ndotur dhe me përmbajtje squfuri, i dëmshëm për jetën e njerëzve.

Në vitin 1974, në kohën e monizmit, janë ndërtuar 3 ura me gurë, të cilat konsiderohen vepra arti, por tani janë dëmtuar dhe janë në rrezik shembjeje për shkak të aktivitetit të kompanisë “Trade Minerals Al”.

Banorët e zonës janë ankuar tek kryetari i Njësisë Administrative Izmir Veseli, tek kryetari i Bashkisë Albert Halilaj, tek prefekti i qarkut Kukës, në polici, prokurori dhe SPAK, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje për krimin mjedisor që kjo kompani e huaj ka shkaktuar në zonë.

Në bazë të dokumentacioneve që ata disponojnë, kanë konstatuar se aktiviteti i kompanisë u ka dëmtuar tokat bujqësore, livadhet dhe vreshtat, si pasojë e hapjes së rrugëve të reja të kalimit, duke cenuar të drejtën e pronësisë.

Për shkak të gërrmimeve që firma ka kryer, në tokat që u përkasin fshatarëve të zonës janë krijuar duna dheu, në vend që ato të depozitoheshin në landfille të posaçme dhe toka e fshatit të pyllëzohej e të ishte e vlefshme për blegtorinë. /piranjat