berisha-1770045909

Sali Berisha ka akuzuar mediat se janë hedhur në një sulm të shfrenuar për të mbrojtur Edi Ramën, ndërsa kanë dalë hapur kundër PD.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen me kryetarët e Degëve, Berisha tha se situata është e jashtëzakonshme, pasi  rrallë herë, mafia mediatike shqiptare, siç i cilësoi ai mediat e lidhura me pushtetin, më e rrezikshme sesa mafia miliardere e kokainës, po mbron fort vjedhjet dhe krimeve e kryeministrit, ndërsa po sulmon ashpër Partinë Demokratike dhe demokratët.

“Një grup kriminal i tillë është i aftë të marrë çdo vendim. Nuk ka asnjë rastësi në qëndrimet e tyre në parlament. Jo. Firmat e tyre janë firma krimi, firma të anëtarëve të organizatave kriminale në qeveri apo në parlament. Dhe kjo është e faktuar përfundimisht. Firmat dhe votat e tyre janë votat dhe firmat e atyre që kanë vjedhur shqiptarët dhe vjedhin shqiptarët çdo ditë. Një ligj vendimtar në çdo vend për luftën kundër korrupsionit, në Shqipëri është zero. Dhe ky është ligji i konfliktit të interesit. Ky ligj nuk ekziston as për Edi Ramën, as për ministrat, as për deputetët e tij. Përkundrazi, përdorimi i pushtetit për vjedhjen e pasurive dhe fondeve dhe ndarja e këtyre pasurive dhe fondeve me anëtarët e familjes së tyre është ligji që zbatojnë ata. Pra, janë një organizatë tërësore kriminale që nuk kanë asnjë legjitimitet në pushtet.

Janë një organizatë kriminale i cili pasi dhunoi masivisht dhe shndërroi në farsë zgjedhjet, vazhdon me vendime, vazhdon me procedura me të cilat vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh shqiptarët. Situata është e jashtëzakonshme, ju thashë. Është e jashtëzakonshme sepse pavarësisht nga protestat tona të fuqishme, ai shpalli veten mbi ligjin. Pavarësisht nga reagimet e fuqishme të partnerëve tanë, ai nuk u ndal. Ndërmori atë veprim me të cilin u tha shqiptarëve që për mua vjedhja e pasurive publike nuk është krim, nuk është e ndaluar, është atribut i funksionit të kryeministrit dhe ministrave të tij.

Situata është e jashtëzakonshme sepse si rrallë ndonjëherë, mafia mediatike shqiptare, e cila për nga rrezikshmëria është mafia numër një, më e rrezikshme sesa mafia miliardere e kokainës, është hedhur në një sulm të shfrenuar në mbrojtje të Edi Ramës, vjedhjeve dhe krimeve të tij dhe kundër Partisë Demokratike dhe demokratëve. Duhet thënë se në këto kohëra të paprecedentë në të cilat kalon Shqipëria, demokratët dhe demokratët, mbështetëset dhe mbështetësit tanë me protestat e tyre, me kryengritjet e tyre dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm. Luajtën një rol shumë të madh. Në qoftë se ju ndiqni qeverisjen e Edi Ramës, ajo bazohet në rrafshin ndërkombëtar në korrupsion, lobim korruptiv”, tha Berisha.