Policia e Brazilit ka publikuar pamjet e arrestimit të Ervin Matës. Në pamje, duken forcat speciale braziliane, të pajisur me armë, duke shoqëruar Matën.
Mata ishte shpallur në kërkim në nëntor të vitit 2023 me urdhër të SPAK, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës. Sipas hetimeve, grupi akuzohet gjithashtu për pastrim parash dhe sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar mes SPAK, EUROJUST, EUROPOL dhe agjencive ligjzbatuese të disa shteteve në Europë, Amerikën e Jugut dhe më gjerë. Arrestimi u bë i mundur pas shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes Interpol Tiranës dhe Interpol Brasilias, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Sipas njoftimit të Policisë, 39-vjeçari u kap në qytetin e Ilha Bela, ku rezulton se përdorte edhe dokumente identifikimi britanike të falsifikuara.



