IMG_9531

Policia e Shtetit, në njoftimin për arrestimin e Ervin Matës, ka dhënë disa detaje.

Sipas njoftimit zyrtar, ai përdorte dokumente të falsifikuara britanike, për të jetuar në Brazil.

Ai akuzohet për trafikimin e 240 kg kokaine, përveçse përfshirjen në disa krime të tjera.

Ervin Mata konsiderohet një ndër trafikantët më të mëdhenj të drogës dhe deri para pak vitesh, emri i tij nuk guxohej të përmendej nga askush.

Për herë të parë, emri i tij u publikua pas përplasjes me armë me rvis Martinajn në Bllok.

Atëherë u tha se shkak për përplasjen u bë e fejuara e tij, Elvana Gjata.

Sherri me Ervis Martinajn

Emri i Ervin Matës doli për herë të parë në publik pas masakrës së ndodhur në ish-Bllok, më 4 tetor të vitit 2018. Gjatë përplasjes me armë në lokalin “Monopol”, mbeti i vrarë Fabjol Gaxha, truproja i Ervis Martinajt (tashmë i zhdukur që nga 9 gushti 2022), ndërsa u plagosën Martinaj dhe Eljon Hato.

Policia deklaronte në atë kohë se personat e përfshirë në ngjarje kishin debatuar fillimisht në ambientet e brendshme të lokalit dhe më pas ishin përplasur me armë zjarri. Pas këtij konflikti, Ervin Mata u vetëdorëzua në polici gjashtë muaj më vonë, duke deklaruar se ishte larguar “nga frika për jetën”.

Fillimisht u tha se sherri kishte nisur pas një ngacmimi që Martinaj i kishte bërë vajzës me të cilën Mata shoqërohej, këngëtares Elvana Gjata. Më vonë, hetimet zbuluan se konflikti mes tyre kishte të bënte me një ngarkesë kokaine, për të cilën Mata nuk i ishte përgjigjur Eldi Dizdarit, një nga drejtuesit e “Kartelit Bello”, që sot strehohet në Dubai.

Historia e dashurisë me Elvana Gjatën

Ervin Mata dhe Elvana Gjata ishin fejuar në vitin 2017, pas dy vitesh njohjeje, në një ceremoni të thjeshtë dhe private. Këngëtarja e kishte përmendur lidhjen në disa intervista, por pa përmendur emrin e partnerit.

“E ke parasysh kur ke një gjë të mirë dhe s’do që ta… ke frikë. Unë mendoj që Zoti është treguar shumë i mirë me mua, më ka sjellë një fat shumë të mirë,” – kishte deklaruar ajo në një intervistë me Ermal Mamaqin.

Dosja “Metamorfoza” rikthen emrin e Ervin Matës në skenë!

Më 20 nëntor 2023, SPAK firmosi një urdhër-arresti për Ervin Matën në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, që goditi një rrjet të gjerë trafikantësh droge. Gjatë bisedave të përgjuara në aplikacionin Sky ECC, Mata rezulton se kishte trafikuar një sasi prej 250 kg kokaine nga Brazili drejt aeroportit të Frankfurtit në Gjermani. Në një nga bisedat, Mata u tregon bashkëpunëtorëve se i janë sekuestruar 240 kg kokainë, dhe se do të dilte në gazetë ditën pasardhëse. Këto biseda çuan më pas në arrestimin e biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe shefit të operacionales Oltion Bistri.

Lidhja e Ervin Matës me Erzen Breçanin!

Por nuk mbaron këtu! Nga bisedat e zbardhura në aplikacionin Sky ECC u godit grupi i strukturuar kriminal i drogës që kryente aktivitet nga Amerika Latine deri në Europë, ku pjesë të cilit ishin dhe zyratë të policisë së shtetit. Bëhet fjalë për ish-nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe në atë kohë shefin e Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni, të cilët u akuzuan për pastrim parash dhe përkrahje të autorit të krimit. Ata u arrestuan pranë stadiumit kombëtar, ndërkohë që Mata ndodhej në arrati.  Por përveç lidhjeve familjare, Breçani dhe Mata kanë edhe lidhje krushqie me njëri-tjetrin sepse djali i Breçanit është i martuar me motrën e Ervin Matës. Në bisedat e Sky ECC u përmend dhe Elvana Gjata, pasi djali i Breçanit dhe Mata flasin për transferimin e 500 mijë eurove nga llogaria e këngëtares. Pas kësaj ngjarjeje thuhet se SPAK, ka nisur hetim pasuror për këngëtaren e njohur.