IMG_9563

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta zgjedhin presidentin dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme.

Në mungesë të kuorumit, nuk është zgjedhur presidenti. Në seancat që u mbajtën për zgjedhje të presidentit ishin prezentë vetëm deputetët e Albin Kurtit, por jo të opozitës.

“I provuam të gjitha” – tha Kurti që renditi një sërë ofertash që i kishte bërë opozitës.

Ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës që vlerëson se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është shmangur një ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës dhe një tentativë e rrezikshme për demokracinë e Kosovës.

“Përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese dështuan. Institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues u mbrojtën” – thuhet në reagimin e PDK.

Brenda 45 ditësh Kosova duhet të mbajë zgjedhje që llogariten të zhvillohen rreth fillimit të qershorit.

Këto do të jenë zgjedhjet e pesta që nga viti i kaluar.