IMG_9837

Përhapja e hantavirusit në javët e fundit ka shkaktuar panik. Tre persona kanë vdekur pas një shpërthimi të mundshëm të hantavirusit, një sëmundje që transmetohet te njerëzit nga brejtësit, në një anije turistike që lundronte në Oqeanin Atlantik, njoftoi dje Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Organizata Botërore e Shëndetësisë bën me dije se kjo nuk është një tjetër pandemi si e Covid-it. OBSH-ja thotë se hantaviruset përhapen “shumë, shumë ndryshe” dhe përmes kontaktit të zgjatur. Pesë nga tetë rastet e dyshuara janë konfirmuar dhe të tetë janë persona që ishin në bordin e anijes.

Hantavirusi është një lloj virusi që bartet nga brejtësit. Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), infeksionet zakonisht ndodhin kur virusi transmetohet përmes ajrit nga urina, jashtëqitjet ose pështyma e një brejtësi, shkruan CNN.

Dr. Emily Abdoler, një mjeke e sëmundjeve infektive në Universitetin e Miçiganit, tha se lloji i Andes është i vetmi i aftë të transmetohet nga njeriu te njeriu dhe, ndryshe nga llojet e tjera, mund të përhapet përmes pikave të frymëmarrjes, të cilat krijohen kur dikush kollitet, teshtin ose flet. Virusi mund të përhapet edhe përmes lëngjeve trupore, duke përfshirë shkëmbimin e pështymës dhe kontakte të tjera intime. Transmetimi nga personi në person shkakton vetëm 2% deri në 5% të të gjitha rasteve të virusit të Andeve.

Ekspertët thonë se mund të fillojë me simptoma të tilla si ethe, të dridhura, dhimbje muskujsh dhe, ndoshta, dhimbje koke. Infeksioni nga hantavirusi mund të jetë vdekjeprurës në deri në 40% të rasteve.