Policia e Shtetit zbarkoi në orët e para të mëngjesit në Mirditë pas një sinjalizimi se në Shqipëri mund të kishte hyrë Elson Reçi, një prej njerëzve më të shumëkërkuar nga SPAK. Pas kontrollit në banesën e tij dhe disa vende të tjera, aksioni rezultoi pa sukses.
Nga verifikimet e mëtejshme u provua se në Shqipëri kishte hyrë vëllai i tij dhe jo i kërkuari.
Elson Reçi, është nipi i Kastriot Reçit që u ekzekutua me snajper në zemër të Rrëshenit. Ai akuzohet nga SPAK se siguroi kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e Preng Gjinit.
Ky i fundit njihet si kundërshtar i tyre dhe pavarësisht se në makinën e tij shpërtheu një sasi e madhe tritoli, ai për fat mundi të mbijetonte. Me vendimin e datës 15.05.2024, GJKKO caktoi për Elson Reçin masën e sigurimit “arrest në burg”, për veprat penale “vrasje për gjakmarrje” e mbetur në tentativë, “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, vepra këto të kryera në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal” dhe “pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.



