Karcanaj-SPAK-

Gjykata e Lartë vendosi që ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, nuk është më e detyruar të qëndrojë e mbyllur në një nga pesë shtëpitë e deklaruara zyrtarisht prej saj.

Këtë mbrëmje, pak ditë pas ndryshimit të masës, ajo flet për herë të parë në Top Story, ku pretendon se është gjendur në një histori që nuk është e saj.

“Unë nuk kam zgjedhur të hesht, por e kam pasur të pamundur të flas. Jam gjendur befas në një botë që isha e papërgatitur, botë e kthyer përmbys. Kam jetuar e mbyllur jo vetëm brenda katër mureve, por me atë vetminë e fajësisë të paracaktuar, e goditur me gurë nga të katërta anët. Por dhe me përgjegjësinë e një nënë që duhej të mbroja fëmijët e mi, kur unë nuk mbroja dot veten time.

Kam jetuar si një emër në një dosje dhe jo si njeri që ka të drejtë të mbrohet.

Nuk kam ardhur këtu për të fajësuar askënd, por për trajtimin tim si një person që nuk jam. Dua të theksoj që çdo proces duhet të hetohet, çdo përgjegjësi të verifikohet, por jo duke poshtëruar cilido të jetë ai person.

Si mund të jem unë e pafajshme kur historia ime është treguar nga të gjithë ata që nuk e dinë si është kjo histori? Kur unë nuk jam pyetur për të gjitha të zezat që më janë veshur publikisht”, u shpreh ajo.

Hetimet për Karçanajn

Mirlinda Karçanaj, drejtoresha jetëgjatë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe personi që ka menaxhuar qindramilionë euro nga taksat e qytetarëve, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, një biznesmen tjetër fitues i prokurimeve të AKSHI-t, kompania e të cilit SOFT & SOLUTION, pati afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime në vitin 2024.

Ndaj Mirlinda Karçanaj janë ngritur akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.