ergys agasi ermal beqiri mirlinda

Të duash të vesh vetulla e të përfundosh duke nxjerrë sytë. Kështu mund të konsiderohet monologu i ish drejtoreshës së AKSH-it, Mirlinda Karçanaj, në Top Chanel.

E pandehura e akuzuar nga SPAK për manipulim tenderash dhe pjesë e një grupi kriminal që ka rrëmbyer persona, ndonëse foli gjatë nuk arriti të sqarojë asnjë nga çështjet për të cilat është vënë në epiqëndrën e një nga dosjeve më të nxehta që ka ngritur prokuroria.

Ajo prodhoi sllogane dhe parrulla, përsëriti “copy paste” togfjalësha të huazuar nga gjuha e Edi Ramës, që i lexonte me bisht të syrit në letrën që mbante përpara për tiu përgjigjur petjeve që i dinte paraprakisht, por nuk iu përgjigj në asnjë rast akuzave që gjenden kundër saj në dosje.

Për të ilustruar këtë Lapsi.al ka marrë një shembull: çështjen e pronave të znj Karçanaj. Sapao ajo u mor e pandehur, kryeministri nxitoi të deklaronte publikisht se ajo ishte aq e vobektë sa ende jetonte në një shtëpi me qera. Por, kur gjykata vendosi në sekuestro, në fund të prillit, një pjesë të pasurive të saj nuk rezultoi aspak kështu.

Në dosjen e SPAK që Lapsi.al ka lexuar, flitet për një apartament pranë stadiumit Air Albania, një vilë duplex në bregdet, në Qerret të Kavajës, një apartament, te rrua e Kavajës në Tiranë për një ullishte dhe për një veturë Tiguan.

Nuk dihet nëse ish drejtoresha e preferuar e Edi Ramës vendosi të flasë për këto për tu justifikuar para shefit, të cilin e kishte detyruar të gënjejë publikisht, apo se qe ky i fundit që e kishte urdhërruar të mbronte të njëjtin version, atë se ajo është pa prona, por një gjë është fakt, ajo bëri autogol pa bindur askënd.

Le ti marrim me radhë. Përballë Grida Dumës, Karçanaj tha se nuk kishte apartament të sajin pranë stadiumit Air Albania, por se aty ishte vendosur me qera, për të qenë sa më pranë zyrës, nëse kishte emergjenca. Në fakt, historia nuk është kaq e thjeshtë. Siç rezulton nga dosja e SPAK bëhet fjalë për një apartament luksoz 200 metra katrorë, për të cilin paguhej qera vetëm 600 euro në muaj, kur në këtë zonë çmimet janë minimumi tre fish më të larta. Atëhere pyetja e parë që Karçanajt nuk iu bë do të qe: pse ky favor?

Nëse intervista do të kishte vazhduar në këtë pistë do të kuptohej nga dëshmitë e dhëna përpara prokurorëve se me blerjen e këtij apartamenti ishte marrë personalisht Ergys Agasi, njeriu që përfitonte pjesën e luanit në tendera, sipas SPAK. Agasi rezulton ti ketë kërkuar kompanisë Fortis Beton ta blnte këtë pronë dhe menjëherë më pas shoferi i Mirlinda Karçanajt kishte vendosur plaçkat e saj aty.

Pra edhe nëse apartamenti që vlen më shumë se gjysëm milioni euro nuk ka qenë i saji, ndonëse prokurorët pretendojnë se ajo është vendosur aty para se të nënshkruante një kontratë qeraje, ish drejtoresha e ka përfituar këtë “nder” si pasojë e favoreve që i bënte Ergys Agasit me tenderat e AKSH-it. Por, ndonëse këto fakte janë publike Karçanaj nuk e pa të arsyeshme të jepte shpjegime për to, duke e lënë versionin e akuzës pa kundër argument.

Një tjetër çshtje është ajo e apartamentit duplex ose vilës në Qerret. Edhe për të Mirlinda Karçanaj i tha Grida Dumës se ashtu sikurse bëjnë shumë familje e kishte marrë me qera për të pushuar me fëmijët gjatë verës. Por dyshimet për këtë version me të cilën e akuzuara nuk u përball kurrë gjatë intervistës janë të mëdha. Kjo pronë edhe sot nga të pyeturit nga SPAK rezulton të jetë pa pronar. I fundit nëpër duart e të cilit ka kaluar, ka dhënë një përgjigje emblematike: “Unë të kem shtëpi aty??? Unë s’kam shkelur kurrë në jetën time as në Durrës e jo më në Qerret”.

Por, përpos këtyre episodeve qesharake, ku Karçanaj s’mund ti paguante qera dikujt që se dinte se kishte shtëpi, ngjarja shkon dhe më thellë. Përpara se ta posedonte ky personazh komik, vila në Qerret rezulton të ishte blerë në mënyrë fiktive nga një punonjëse e kompanisë Soft Solution, të Ermal Beqirit, të akuzuarit tjetër për abuzim me tenderat e AKSH-it, në bashkëpunim me Ergys Agasin. Pra a kemi të bëjmë me një shtëpi për drejtoreshën e cila nuk dha përgjigje për këtë?

Por saga vijon. Rrezulton se ashtu si të gjithë pronarët realë Mirlinda Karçanaj ka bërë pagesat e mirëmbajtjes për këtë pronë. Dhe përpos asaj që figuron në blloqet e administrimit, këtë e ka pohuar përpara prokurorëve edhe ish shoferi i saj, i cili pas një tentative për ti mashtruar hetuesit është rrëfyer përpara tyre…

Pra, për një shtëpi që pretendon se e ke huazuar për pushime, por të cilës nuk i del për zot pronar për ti paguar qeranë dhe që për më tepër i paguan mirmbajtjen mujore, duhen dhën shpjegime, Karçanaj nuk e bëri këtë duke lënë në fuqi për publikun sversionin e akuzuesve të saj.

Edhe për apartamentin tjetër të cilin Mirlinda Karçanaj e pranoi gjatë intervistës se është pronare, duke e vizatuar si një shtëpi të kohës së Enverit të degraduar, dyshimet nuk mungojnë. Dy vjet përpara se ajo ta bënte atë pronë të saj, e pati blerë motra e ish nëndrejtorit të saj në AKSH, Daniel Shima. Kjo e fundit ia shiti dy biznesmenëve që nga ana e tyre e rishitën tek nëna e Karçanajt. Nisur nga këto hetime SPAK dhe gjykata kanë mbërritur në konkluzionin e mëposhtëm…

As për këto pretendime ish drejtoresha nuk sqaroi asgjë përpara Grida Dumës duke e shndërruar një intervistë të konceptuar si qokë në një boomerang.

Eshtë e vështirë të imagjinohet se cili ka qenë ai që e ka urdhëruar apo këshilluar Karçanajn, që menjëherë pas lirimit nga Gjykata e Lartë, të dalë në publik me këtë strategji, që nuk do ia rekomandonte asnjë ekpert i zakonshëm komunikimi. Secili prej tyre e di se para se të quravitesh dhe të prodhosh parrulla, kur përballesh me akuza, fiton vetëm nëse i demonton ato.

Ish drejtoresha nuk qe në gjendje ta bënte, duke dëmtuar veten, duke nxjerë gënjeshtar Edi Ramën dhe duke e ekspozuar Top Channelin, si një lavatriçe të vjetër që edhe kur merr përsipër të të bëjë lavazh, nuk ia del dot. /Lapsi.al