Ajo konsiderohet si e dashura sekrete e sundimtarit të Kremlinit, Vladimir Putin: ish-gjimnastja ruse e gjimnastikës ritmike, kampione e shumëfishtë e Rusisë, e Evropës dhe e botës, Alina Kabaeva (42 vjeç). Por kjo nuk do të thotë se ajo është e paprekshme. Para një eventi të madh sportiv, ku Rusia do të marrë pjesë nën flamur neutral, kundër saj kanë shpërthyer protesta dhe intriga.
Alina Kabaeva po stërvit gjimnastet ruse për Kampionatin Evropian në Bullgari (27–31 maj). Por procesi i përzgjedhjes së sportisteve është shoqëruar me debate. Prindërit e vajzave që nuk u përfshinë në ekip, si edhe shumë përdorues të rrjeteve sociale, e akuzojnë Kabaevën për favorizime dhe nepotizëm.
Megjithatë, ajo konsiderohet eksperte në sportin e saj: në Lojërat Olimpike të Sidneit më 2000 fitoi medaljen e bronztë, ndërsa në Athinë 2004 u shpall kampione olimpike. Pas kësaj, ajo u zhduk për një kohë të gjatë nga vëmendja publike.
Sipas raportimeve mediatike, ajo dyshohet se është partnerja e Putinit dhe se kanë dy djem bashkë. Asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht, pasi Kremlini e mban jetën private të Putinit totalisht sekrete.
Në vitin 2022, Kabaeva u rikthye papritur në publik me akademinë e saj të gjimnastikës ritmike — një sport me rëndësi të madhe në Rusi.
Megjithatë, pavarësisht lidhjeve të saj të supozuara me Putinin, kritikat në Rusi janë bërë të ashpra. Arsyeja: pothuajse të gjitha sportistet e përzgjedhura për Kampionatin Evropian stërviten në akademinë e saj. Shumë njerëz dyshojnë për “prapaskena” të mbështetura nga Kremlini.
Sipas gazetës zvicerane “NZZ”, prindërit e vajzave të përjashtuara nisën madje një thirrje publike për të ndryshuar listën e pjesëmarrëseve. Në rrjetin rus VKontakte dhe në Telegram kanë shpërthyer komente të zemëruara si: “Është aq e ulët mënyra si po e bën gjithë këtë” ose “e urrej Kabaevën” dhe “Kabaeva nuk është në terezi sepse kjo tashmë është çështje familjare”. (BILD)



