-1000-0-img-0930-6a0f678a06b60

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Të Paekspozuarit në MCN TV, ka folur për dëshminë e Mustafa Martinajt, babait të të shumëkërkuarit të zhdukur Ervis Martinaj, gjatë procesit gjyqësor për sekuestrimin e pasurive.

Sipas Lalës, Mustafa Martinaj është përpjekur të bindë gjykatën se pasuria e familjes ka burime të ligjshme, duke deklaruar se fillimisht ka punuar si zyrtar dhe më pas si biznesmen në fushën e këmbimit valutor. Ai pretendoi se ka pasur mundësi financiare për të justifikuar pasuritë e sekuestruara.

Gjatë dëshmisë, ai ka prekur edhe çështjen e zhdukjes së të birit, duke deklaruar se beson që Ervis Martinaj nuk jeton më. “Më vjen turp që pyetem për rreckat dhe betonin, dhe jo për vrasjen e djalit”, mësohet të ketë thënë ai në sallën e gjyqit.

Sipas gazetares, Mustafa Martinaj ka akuzuar autoritetet për mungesë reagimi serioz ndaj çështjes, duke theksuar se familja është përballur me 23 kontrolle policore pas zhdukjes së Ervisit, për shkak të dyshimeve se ai mund të ishte ende gjallë.

Lala kritikoi gjithashtu institucionet ligjzbatuese për mënyrën si është trajtuar rasti i zhdukjes së Ervis Martinajt dhe vrasjes së Brilant Martinaj. Ajo tha se personazhe kyç, mes tyre Jeton Lami, duhet të merren sërish në pyetje nga SPAK, ndërsa shtoi se Prokuroria e Lezhës nuk ka kapacitetin e duhur për të hetuar çështjen.

Sipas Lalës, dyshohet se në zhdukjen e Ervis Martinajt mund të jenë përfshirë deri në pesë grupe kriminale. Ndërkohë, familjarët pretendojnë se pak para ndërprerjes së komunikimit, Martinaj kishte dërguar një mesazh ku njoftonte se po kthehej në banesë.

Aktualisht, për SPAK-un, Ervis Martinaj rezulton person nën hetim, ndërsa për Prokurorinë e Lezhës figuron si i zhdukur.