Sindikatat janë plaçkitësit më të mëdhenj të pronave publike, të trashëguara nga koha e diktaturës, teksa me vendime tepër të dyshimta, dekrete Presidenciale apo vendime të Këshillit të Ministrave, kampet dhe shtëpitë e pionierëve në zonat më turistike të Shqipërisë, janë tjetërsuar apo shitur me çmime qesharake.
Në krye të kësaj skeme kanë qëndruar për vite me radhë të ashtuquajturit kryesindikalist, Gëzim Kalaja dhe Kol Nikolla, i pari President i BSPSH-së dhe i dyti President i KSSH, të cilët me vendime tepër të dyshimta dhe duke u kamufluar njëri djathtas (Kalaja) dhe tjetri majtas (Nikolla) ia kanë arritur qe të shesin apo japin me qira këto prona.
Në këto radhë, Vox News do të ndalet te një pronë, që është aktualisht me letra në pronësi të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, siç është hotel “Kalaja” në Pogradec, dikur ka qenë kampi i punëtorëve. Për koincidencë apo jo, emri i hotelit përkon me mbiemrin e Presidentit të BSPSH-së, Gëzim Kalaja.
Vox News ka shfletuar dokumente nga Qendra Kombëtare e Biznesit ku rezulton se administrator i këtij hoteli, dikur Kampi i Punëtorëve në Pogradec, është z. Greg Xhillari, djali i biznesmenit Alban Xhillari. Një emër që ka sjellë pështjellim në gjithë atë pronë, pasi redaksia jonë ka mësuar se me veprime të BSPSH-së, dhe më konkretisht të Presidentit Gëzim Kalaja, prona do t’i kalojë pak e nga pak kësaj familje.
Një skemë e përdorur gjithandej, me Kampion e Pionierëve në Dajt, me Kampin e Punëtorëve në Durrës, apo me godinat e tjera. Biznesmenë të fuqishëm futen fillimisht si ortak apo administrator, për t’a shtënë në dorë më pas, siç do të analizojmë pak më poshtë.
Në letrat e QKB-së përcaktohet se aksioner është Sindikata me 71.59 % dhe kompania ECW, pas së cilës qëndron familja Xhillari me 28.41 %. Në këtë ndarjen e aksioneve është bërë dhe një kleçkë, pasi Sindikata në realitet ka vetëm 20 %, duke qenë se aksionet i janë rritur formalisht nga rivlerësimi i pronës.
Çka do të thotë, në letra shkruhet se kapitali në para i Sindikatës në këtë pronë është vetëm 20 mijë, ndërsa në natyrë kanë 146 milionë lekë. Firma ECW ka kapital 80 mijë dhe në natyrë 58 milionë lekë.
“Objekti ndërtesë i pasqyruar në kapitalin dhe aktet e shoqërisë figuron aktualisht i regjistruar në regjistrat e pasurisë së paluajtshme në pronësi të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë”, thuhet në dokument.
Në prill të vitit 2024, aksionerët e rinj të firmës, kësaj herë ECWdhe Sindikata e përfaqësuar nga i famshmi Gëzim Kalaja kanë bërë emërimin e administratorit, që është as më pak e as më shumë por vetë Greg Xhillari, djali i binesmenit Alban Xhillari.
“Sot, më datë 30.04.2024 ne ortakët e shoqërisë tregtare ‘I.H.KALAJA & COMPANY’, në bazë të aktit të themelimit, statutit të shoqërisë (me gjithë ndryshimet përkatëse) vendosëm të miratojmë largimin nga detyra, me dorëheqjen e tij, të administratorit të shoqërisë z. Ilir Hoxha. Vendosëm emërimin e administratorit të ri të shoqërisë Greg Xhillari, për një afat 5 vjeçar”, thuhet në këtë dokument. Në fund, është emri dhe firma e Gëzim Kalasë dhe Greg Xhillarit.
Të gjitha veprimet më sipër kanë pasur si synim që të shtinin në dorë truallin e këtij hoteli. Me vendime të shpejta, Xhillari dhe Kalaja kanë vendosur që të rivlerësojnë pronën, truallin dhe t’a regjistronin në kapitalin e shoqërisë. Vox News ka mësuar se në muajin janar të vitit 2025, ata kanë caktuar një ekspertë për ta vlerësuar.
Sipas aktit që ka hulumtuar Vox News, “prona objekt vlerësimi, ish shtëpia e pushimit në në Pogradec ka një truall me sipërfaqe 12.579 m² dhe ndodhet në lagjen e Volorekës”. Sipas saj, prona ka ambiente të jashtme të sistemuara dhe me gjelbërim. Kjo pasuri ka akses të drejtpërdrejtë me bulevardin kryesor. Në certifikatën e pronësisë është shkruar se ndërtesa ka një sipërfaqe prej 1576 m², e cila ashtu edhe trualli, është në emër të të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë.



“Për vlerësimin e truallit mbi të cilën ndodhet ish shtëpia e Pushimi Pogradec jam bazuar në çmimet e referencave ligjore, kjo për faktin pasi situata e tregut të pasurive të paluajtshme për prona të ngjashme në zonën në të cilën ndodhet kjo pasuri në qytetin e Pogradecit, është në stanjacion dhe e paqëndrueshme”, shkruan ekspertja.
Vërtetë në stanjacion? Nuk ka rritje të vlerës së godinës dhe truallit? Përse u bë ky vlerësim, duke qenë se ajo sipërfaqe dhe ajo godinë kanë një vlerë mbi 10 milionë euro. Në fakt, është një skemë që Gëzim Kalaja e ka përdorur pothuajse në të gjitha pronat, duke i ulur vlerën dhe duke e shitur me çmime qesharake.
Ky vlerësim i ekspertes, për “stanjacionin” është publikuar në QKB, duke i hapur rrugën që prona të blihet më pas nga familja Xhillari. Deri më sot nuk është bërë ndonjë njoftim për blerje në QKB, por nuk përjashtohet që palët të kenë bërë ndonjë kontratë paraprake.
Në fund, ekspertja tha se trualli prej 12.579 metra katrorë ka një vlerë prej 131.966.289 lekë, çka do të thotë se 1 metër katrorë ka një vlerë 10.490 lekë, ose rreth 100 euro metri katror. Një vlerë qesharake, duke qenë se prona është në qendër të Pogradecit, e gjelbëruar, buzë liqenit dhe mjaft e vlerësuar për ndërtime të mëpasshme.
Skema e tjetërsimit nga Kalaja dhe Xhillari vijon me bilancet e publikuara në QKB. Vox News ka hulumtuar të tjera dokumente, ku rezulton se hotel “Kalaja” në Pogradec ka deklaruar në vitin 2025 një bilanc me humbje në vitin 2024. Në letra shkrihet se asambleja e ortakëve, e përfaqësuar nga Greg Xhillari dhe Gëzim Kalaja, kanë nënshkruar bilancin që ka dal me humbje në vlerën e 4.407.851 lekë.
Më shumë sesa vlera e humbjes, ajo që bie në sy në gjithë këtë histori, janë tentativat e Gëzim Kalasë për ta tjetërsuar, duke i bërë një vlerësim qesharak, duke e nxjerrë me humbje apo duke bërë transaksione për shitje. A mos vallë kjo pronë i është premtuar familjes Xhillari?!



