-1000-0-img-1060-6a12f39922359

Ka diçka madhështore në mënyrën se si Sali Berisha arrin të flasë për një votim me kandidat të vetëm sikur të ishte zbarkimi në Normandi. Në fund të fundit, jo çdo lider arrin ta paraqesë garën me vetveten si betejë epike kundër “narko-mafias më të rrezikshme në Europë”.

“Demokratët dje mposhtën narko-mafian më të rrezikshme në Europë”, deklaroi Berisha, pasi fitoi një proces ku sfida më e madhe matematikore ishte si të numëroheshin votat pa humbur ritmin ceremonial të triumfit.

Në universin politik normal, zgjedhjet bëhen për të zgjedhur mes alternativave. Në universin berishist, alternativa duket se konsiderohet infiltracion mafioz. Dhe pikërisht këtu qëndron revolucioni teorik që po i jepet demokracisë moderne: kandidati i vetëm nuk është mungesë gare; është forma më e avancuar e demokracisë direkte. Një demokraci aq e pastër, sa kundërshtari nuk ka më nevojë të ekzistojë fizikisht.

Në tekstin e tij triumfal, Berisha shpjegon se në diktatura “kryetari është Zeusi dhe për Zeusin nuk votohet”. Ironia e vogël është se ai po e thoshte këtë pikërisht pasi fitoi një referendum personal ku i vetmi element realisht i pasigurt ishte niveli i entuziazmit që do të prodhonte rezultati i paracaktuar.

Madje ai e quan procesin “tmerr dhe ferr” për kundërshtarët. Një formulim dramatik që të krijon përshtypjen se në selinë e PS-së po binin sirenat e alarmit nga frika e kandidaturës së vetme të Berishës. Sikur Edi Rama, oligarkët, kartelët e drogës dhe “meduza” të mos flinin natën nga ankthi se mos dikush tjetër nuk kandidoi kundër Sali Berishës.

Por pjesa më poetike e gjithë kësaj sage është momenti kur Berisha paraqet votimin “një anëtar, një votë” si kulmin e pluralizmit europian, ndërsa çdo kritikë ndaj mungesës së garës shpallet automatikisht aleancë me narkomafian. Pra, sipas kësaj logjike, problemi nuk është pse kishte vetëm një kandidat. Problemi është pse shqiptarët nuk po emocionohen mjaftueshëm nga fakti që kandidati i vetëm fitoi ndaj kandidatit të vetëm.

Në një moment tjetër ai ankohet se mediat “i kushtuan mijëra lajme” garës në PD. Dhe këtu duhet pranuar një padrejtësi ndaj doktorit: është e vështirë për median të rezistojë përballë një spektakli ku një lider historik shpall si fitore titanike faktin që askush nuk e rrëzoi nga gara ku askush realisht nuk ishte në garë.

Berisha flet edhe për “demokracinë referendare”, një koncept që në interpretimin e tij merr një kuptim pothuaj mistik. Sepse referendumi klasik ka një “po” dhe një “jo”. Ndërsa këtu kemi hyrë në një fazë më të avancuar të evolucionit demokratik: “Po Saliut” ose “Je me narkomafian”.

Dhe ndoshta kjo është arritja më e madhe filozofike e kësaj historie. Të kthesh mungesën e alternativës në provë të pluralizmit. Të shndërrosh kandidatin unik në simbol të demokracisë direkte. Dhe mbi të gjitha, të arrish të bindësh militantët se beteja më e madhe kundër mafias europiane u fitua pikërisht ditën kur kundërshtari kryesor ishte mungesa e një kundërshtari.