lorena goxhobelli martin kala kadastra

Byroja Kombëtare e Hetimit ka zhvilluar verifikime për orë të tëra në ambientet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në kuadër të hetimeve që lidhen me dyshimet për tjetërsim pronash dhe regjistrime të kryera në kundërshtim me ligjin.

Sipas informacioneve mediatike, hetimet janë përqendruar te zyrtarë dhe ish-drejtues të Kadastrës, të cilët dyshohet se mund të kenë favorizuar regjistrimin apo kalimin e pronave në mënyrë të paligjshme.

Në fokus janë veçanërisht procedurat e ndjekura për prona në zona me vlerë të lartë ekonomike dhe turistike, ku dyshohet se grupe kriminale kanë arritur të ndryshojnë pronësinë reale përmes dokumenteve, vendimeve apo regjistrimeve të kryera me firmën e institucioneve shtetërore.

Paralelisht, SPAK mësohet se ka vendosur sekuestro mbi disa sipërfaqe toke në zonën e Livadhit, në Himarë, ndërsa pritet që hetimet të shtrihen edhe në raste të tjera.

Burime mediatike bëjnë me dije se vatrat kryesore të dyshimeve për korrupsion në sistemin e pronave lidhen me Tiranën, Durrësin, Vlorën dhe Elbasanin. Këto janë edhe zonat ku ndër vite janë raportuar konfliktet më të mëdha për pronësinë, mbivendosjet e dokumenteve dhe regjistrimet e dyshimta.

Për Tiranën, sipas të njëjtave burime, verifikime po kryhen edhe në Drejtorinë Vendore Rurale 1 Tiranë, e drejtuar nga Martin Kala. Emri i tij është përmendur më herët në akuza publike dhe denoncime mediatike për dyshime mbi zhdukjen apo administrimin problematik të dokumentacionit të pronave, por deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK për statusin e tij në këtë hetim.

Sa i përket Durrësit, Vlorës dhe Elbasanit, hetimet dyshohet se lidhen me mundësinë e ndërhyrjes së grupeve kriminale në proceset e regjistrimit dhe tjetërsimit të pronave, përmes lidhjeve me zyrtarë apo ish-zyrtarë të Kadastrës.

Në këtë skemë të dyshuar, grupet kriminale nuk do të kishin vepruar vetëm me dokumente të falsifikuara, por edhe duke përfituar nga vendimmarrje apo mosveprime institucionale, që u kanë hapur rrugë regjistrimeve të paligjshme.

Për këtë arsye, hetimi i SPAK dhe veprimet e BKH-së në Kadastër konsiderohen si një nga goditjet më të rëndësishme ndaj korrupsionit në sistemin e pronave, një sektor që prej vitesh është akuzuar si një nga nyjet kryesore të abuzimit me pasuritë publike dhe private.

Deri më tani, SPAK nuk ka dhënë një njoftim të plotë zyrtar mbi personat nën hetim, numrin e pronave të sekuestruara apo lidhjen konkrete mes verifikimeve në Kadastër dhe sekuestrimeve në Himarë.

Megjithatë, prania e BKH-së në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe sekuestrimet e para në zonën e Livadhit tregojnë se hetimi është në një fazë aktive dhe mund të sjellë zhvillime të tjera në ditët në vijim.

Nëse dyshimet provohen, çështja mund të prekë jo vetëm zyrtarë të niveleve teknike, por edhe drejtues të rëndësishëm të Kadastrës, të cilët kanë pasur rol në miratimin, regjistrimin apo certifikimin e pronave të dyshuara si të tjetërsuara. /gazetajone