img-5579-6ac4a11a15877

Një grabitje e armatosur në një piceri në Villmergen, në kantonin Aargau të Zvicrës, për pak sa nuk përfundoi në tragjedi.

Pronari i lokalit me origjinë shqiptare u përball me një grabitës të maskuar pasi kuptoi se vajza e tij po kërcënohej me thikë.

Sipas mediave të huaja, ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje, ku një person i maskuar hyri në piceri dhe duke kërcënuar me thikë, kërkoi paratë.

Në atë moment, pronari i lokalit, Zelal Selimi, ndodhej jashtë, por kuptoi se brenda po ndodhte një grabitje dhe se në rrezik ishte vajza e tij. Selimi tregoi për një televizion lokal se hyri me kujdes në ambientet e picerisë dhe u përpoq të neutralizonte situatën.

Sipas dëshmisë së shqiptarit, thika ndodhej vetëm rreth 40 deri në 50 centimetra larg kokës së vajzës, e cila ishte e tmerruar dhe kishte nisur të bërtiste.

“Hyra ngadalë brenda dhe ndërhyra për t’i kapur thikën, që të mos e vriste vajzën time”, rrëfeu ai.

Babai u përlesh me grabitësin dhe arriti t’ia marrë armën e ftohtë nga dora. Pas kësaj, autori doli me shpejtësi nga piceria, ndërsa Selimi e ndoqi jashtë lokalit.

Grabitësi tentoi të largohej me një skuter elektrik, por arratisja nuk zgjati shumë. Ai u ndalua pak më vonë nga një polic jashtë shërbimit.

Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, i arrestuari është një 36-vjeçar me shtetësi serbe, me banim në rajon. Përplasja me grabitësin i shkaktoi Selimit dëmtime të lehta në të dyja duart.

Shqiptari ka deklaruar gjithashtu se ai dhe familja e tij kanë mbetur të tronditur nga ajo që përjetuan.

“Jemi të tronditur. Ishte shumë e frikshme”, deklaroi ai.

Edhe vajza e Selimit e cilësoi ndërhyrjen e të atit si vendimtare. Sipas saj, reagimi i shpejtë i babait ka parandaluar një përfundim tragjik. Ndërkohë, autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Në fokus është edhe mundësia që 36-vjeçari të jetë i lidhur me një tjetër grabitje të ndodhur disa ditë më parë në një furrë buke në zonë. Edhe në atë rast, autori dyshohet se kishte përdorur një thikë për të kërcënuar punonjësit dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.