Prokuroria e Tiranës, në kuadër të hetimeve për helmimin e 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, i ka dërguar një shkresë të dytë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke kërkuar informacion të detajuar mbi vendimin për zhbllokimin e aktivitetit të subjektit “Sori-al”.
Organi i akuzës kërkon të sqarohen procedurat dhe arsyet që çuan në heqjen e masës së bllokimit administrativ, e cila ishte vendosur më herët ndaj subjektit në fjalë.
Ndërkohë, prokuroria ka sekuestruar kartelat mjekësore të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, të cilat i janë deleguar Institutit të Mjekësisë Ligjore për ekspertim dhe verifikime të mëtejshme.Sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, janë marrë mostra për analizë të higjienës ambientale dhe pajisjeve të punës në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë, si dhe në kuzhinën e Garnizonit të Forcave të Armatosura në Tiranë. Analizat e kryera në laboratorin e referencës ISUV rezultuan brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.
Pas këtyre rezultateve, AKU kreu inspektime shtesë në ambientet e Akademisë së Sigurisë dhe të Garnizonit të Forcave të Armatosura, duke vendosur më pas zhbllokimin e aktivitetit të subjektit “SORI-AL”. Subjektit i është kërkuar gjithashtu të kryejë analiza autokontrolli për produktet e gatshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.



