SPAK ka ndërmarrë ditën e sotme një aksion për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që pastronte paratë e drogës. Burime të besuara bëjnë me dije se janë firmosur 10 urdhër arreste, katër prej të cilave janë ekzekutuar në Shqipëri. Ergys Kastrati alias Bishja u prangos në një vilë luksoze pas dy vitesh në kërkim dhe që nuk ishte arrestuar as nga autoritetet italiane. Në pranga përfunduan edhe dy shoferë dhe e shoqja e tij. Gjashtë të dyshuarit e tjerë, përfshirë edhe kreun e grupit Igli Kamberi, janë arrestuar apo po kërkohen në Itali.
Hetimet kanë zbuluar se të paktën në një episod, kur janë sekuestruar 700 mln lekë në Muriqan, janë pikërisht para të drogës që janë futur në Shqipëri dhe pastroheshin në forma nga më të ndryshmet.
Igli Kamberi, që konsiderohet si kreu i grupit, krahas trafikut të drogës, akuzohet nga autoritetet se bashkë me 4 persona të tjerë kanë vrarë Francesco Diviesti, parukierin 26-vjeçar nga Barletta. Ai u zhduk më 25 prill 2025 dhe u gjet i vrarë dhe gjysmë i djegur 4 ditë më vonë.
Parukieri 26-vjeçar italian, Francesco Diviesti, nga Barletta, u zhduk më 25 prill 2025 pasi doli nga shtëpia, ndërsa pamjet e fundit e tregonin në barber shop-in ku punonte me të atin. Katër ditë më vonë, trupi i tij u gjet pjesërisht i djegur në një ndërtesë të braktisur mes Canosa di Puglia dhe Minervino Murge, në veri të Barit.
Ndërkohë, hetimet për vrasjen kanë marrë një kthesë të rëndësishme. Mëngjesin e së martës, autoritetet italiane dhe shqiptare ekzekutuan 14 masa sigurie në kuadër të një operacioni të koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Barit dhe SPAK në Tiranë. Sipas hetuesve, çështja lidhet jo vetëm me vrasjen e 26-vjeçarit, por edhe me një rrjet të dyshuar ndërkombëtar të pastrimit të parave që vepronte mes Italisë dhe Shqipërisë.



