Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për hetimet që po zhvillon SPAK në kuadër të dosjes së njohur si “Veliaj 2”.
Sipas Lalës, hetimet po fokusohen te aktiviteti i kryebashkiakut të Tiranës në Bashkinë e Tiranës, si dhe te persona të lidhur me të, përfshirë vëllain e tij, Arbër Veliaj, kompaninë Gogel, bashkëshorten e tij dhe individë të tjerë.
Gazetarja sqaroi se aktualisht nuk ka ende një konkluzion përfundimtar lidhur me këtë dosje, ndërsa hetimet vijojnë në disa drejtime.
“Kompania Gogel e Arbër Veliajt mendohet se mund të ketë përfituar për shkak të pozitës së Veliajt si kryetar bashkie. Po shihet nëse ka pasur klientë që më pas kanë pasur interesa dhe lidhje me Bashkinë e Tiranës”, u shpreh Lala.
Ajo shtoi se një tjetër drejtim i hetimit lidhet me marrëdhëniet mes kompanisë së Arbër Veliajt dhe kompanive të Ajola Xoxës.
“Pika e dytë që po shihet është marrëdhënia mes kompanisë së Arbër Veliaj dhe kompanive të Ajola Xoxës, nëse kanë pasur kontraktime dhe cila ka qenë marrëdhënia juridike. Këto janë shtyllat kryesore të hetimit”, tha gazetarja.
Sipas Lalës, në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje një sërë personash, përfshirë zyrtarë, ekonomistë, biznesmenë dhe financierë, ndërsa janë shqyrtuar gjithashtu kontrata dhe pajisje celulare.
“Janë pyetur një sërë zyrtarësh, Klotilda Bushka, ekonomistë, biznesmenë, financierë. Janë këqyrur disa kontrata dhe celularë. Për momentin nuk ka një konkluzion sa i përket hetimeve. Po shihet marrëdhënia mes pozicionit të Veliajt dhe përfitimeve që mund të ketë pasur kompania e të vëllait”, deklaroi Lala.



