-900-0-1739171876xtirane-apartamente-pallate-kulla-1-1120-228

 

Tregu i pasurive të paluajtshme shënoi rënie të numrit të shitjeve në gjysmën e dytë të vitit 2025, por çmimet e banesave vazhduan të rriten me ritme të larta.

Sipas Vrojtimit mbi Ecurinë e Tregut të Pasurive të Paluajtshme të Bankës së Shqipërisë, subjektet e vrojtuara raportuan 1273 prona të shitura në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Kjo shifër është 35% më e ulët krahasuar me gjashtëmujorin e parë, kur ishin raportuar 1959 prona të shitura.

Numri mesatar i pronave të shitura nga çdo subjekt ra në rreth 8, nga 11 që ishte në gjysmën e parë të vitit 2025. Edhe raporti i subjekteve që kanë kryer shitje ndaj numrit të përgjithshëm të përgjigjeve të vlefshme zbriti në 40%.

Ky tregues ka ardhur në rënie graduale gjatë dekadës së fundit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, ai kishte arritur në rreth 70%, ndërsa tashmë tregon një aktivitet më të kufizuar të agjentëve dhe ndërtuesve të përfshirë në vrojtim.

Në strukturën e shitjeve, rreth 37% e pronave të shitura gjatë gjashtëmujorit të dytë 2025 ishin në zonat më të preferuara brenda qyteteve. Kjo peshë mbeti e ngjashme me periudhën paraardhëse.

Ndërkohë, 31% e pronave të shitura ishin në periferi brenda qytetit, nga 44% që ishte pesha e tyre në gjashtëmujorin e mëparshëm. Rritje shënuan pronat jashtë qytetit, të cilat përbënin rreth 32% të shitjeve, nga 21% në periudhën paraardhëse.

Megjithëse numri i pronave të shitura ra, koha mesatare e shitjes së banesave u shkurtua. Në rang vendi, një pronë u shit mesatarisht për 9.1 muaj, nga 11.6 muaj në vrojtimin e mëparshëm.

Në Tiranë, koha mesatare e shitjes ra edhe më fort, në 8.1 muaj, nga 11.1 muaj në gjashtëmujorin e parë të vitit. Në zonat bregdetare, ndërkohë, koha mesatare e shitjes u rrit në 9.9 muaj, nga 8.7 muaj më parë. Për zonat e tjera, ajo zbriti në 10.1 muaj, nga 12.8 muaj.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është rënia e numrit të pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky fenomen vërehet që prej fillimit të vitit 2016 dhe ka vijuar në secilin gjashtëmujor.

Tkurrja e inventarëve edhe në gjashtëmujorin e dytë 2025, pavarësisht rënies së shitjeve, mund të lidhet me uljen e ofertës së pronave të reja që ndërtuesit apo agjentët kanë hedhur në treg.

Për sa i përket çmimeve të realizuara në shitje, rreth 46% e agjentëve kanë raportuar se kanë shitur prona me çmim të njëjtë ose deri në 5% më të ulët se çmimi fillestar i kërkuar. Pjesa tjetër kanë raportuar ulje nga 5% deri në 20%, ndërsa vetëm një pjesë shumë e vogël kanë shitur me ulje prej 30% ose më shumë.

Kredia bankare vijon të ketë rol të rëndësishëm në financimin e blerjeve. Sipas agjentëve, rreth 61% e pronave për banim dhe përdorim tregtar të shitura janë blerë me hua bankare. Nga këto raste, në 38% të tyre kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës së pronës.

Pavarësisht rënies së shitjeve, Banka e Shqipërisë vlerëson se çmimet e banesave vazhduan të rriten me ritme të larta në gjysmën e dytë të vitit 2025.

Indeksi Fischer, i përllogaritur nga Banka Qendrore, tregoi se çmimi mesatar i banesave të shitura u rrit me 11.7% krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 28% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, ritmi vjetor i rritjes së çmimeve u ngadalësua ndjeshëm. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, rritja vjetore ishte raportuar në 41.7%, ndërsa në fund të vitit ra në 28%.

Në Tiranë, tregu shfaqet në një fazë më të qartë ngadalësimi. Indeksi i çmimeve për shitjet në kryeqytet mbeti i pandryshuar krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe u rrit vetëm me 4.4% ndaj një viti më parë.

Ky është një ndryshim i fortë krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2025, kur rritja vjetore e çmimeve në Tiranë ishte 32.6%.

Të dhënat tregojnë një treg me sinjale të përziera. Nga njëra anë, numri i shitjeve ka rënë dhe ritmi i rritjes së çmimeve po ngadalësohet, sidomos në kryeqytet. Nga ana tjetër, çmimet mbeten në rritje, koha e shitjes është shkurtuar dhe inventarët e pashitur vijojnë të bien, duke treguar se oferta në treg mbetet e kufizuar.