WhatsApp Image 2026-06-17 at 09.32.51

Agjencia e Prokurimit Publik ka përjashtuar për 6 muaj nga tenderët publikë kompaninë “REJ” shpk, pas konstatimit se operatori ekonomik ka paraqitur të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi në një procedurë prokurimi.

Vendimi i APP-së është marrë më 12 qershor 2026 dhe lidhet me tenderin për “shërbim pastrimi për Spitalin Universitar të Traumës”, me fond limit 245 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 2.5 milionë euro. Procedura është zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara më 20 tetor 2025.

Sipas dokumenteve, Agjencia e Prokurimit Publik ka nisur procedimin administrativ pas një vendimi të Komisionit të Prokurimit Publik, të datës 20 janar 2026, i cili i ka propozuar APP-së hetimin e operatorit ekonomik “REJ”.

Në përfundim të shqyrtimit, APP ka vlerësuar se kompania ka rënë në kushtet e parashikuara nga ligji për prokurimin publik për keqinformim dhe dorëzim dokumentesh që përmbajnë të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi.

Ligji parashikon që në raste të tilla një operator ekonomik mund të përjashtohet nga e drejta për të fituar kontrata publike për një periudhë nga 3 muaj deri në 3 vjet. Në rastin konkret, APP ka vendosur përjashtimin e kompanisë “REJ” për 6 muaj, nga hyrja në fuqi e vendimit.

“REJ” shpk është një kompani e lidhur me familjen Kapri në Pogradec dhe ndër vite ka fituar kontrata të shumta publike në disa qytete të vendit, kryesisht në shërbime pastrimi, gjelbërimi, mirëmbajtjeje dhe ndërtimi. Vlera e tenderëve të përfituar nga kjo kompani llogaritet në dhjetëra milionë euro.

Kompania është përmendur më herët në denoncime publike për mënyrën e fitimit të disa procedurave të prokurimit, veçanërisht pas ankimimeve në Komisionin e Prokurimit Publik. Në disa raste, dyshohet se kompania ka hyrë në gara me oferta pranë fondit limit, nuk është shpallur fituese nga autoriteti kontraktor në fazën e parë, por më pas ka përfituar pas ankimit në KPP dhe skualifikimit të operatorëve të tjerë.

Një tjetër element që ka ngritur dyshime është ndryshimi i pronësisë së kompanisë. Në qershor 2025, Luan Kapri ka kaluar aksionet e “REJ” shpk te e bija, Marinela Kapri, përmes një akti dhurimi, pa transaksion financiar.

Luan Kapri është vëllai i Gilbert dhe Eduart Kaprit, ndërsa ky i fundit ka qenë kryetar i Bashkisë së Pogradecit. Eduart Kapri është dënuar më herët nga Gjykata e Posaçme me 2 vite burg, lidhur me dhënien e një lejeje për firmën e vëllait të tij, “GEDI” shpk, për ndërtimin e një objekti shumëkatësh në Pogradec pa lejen përkatëse.

Vendimi i fundit i Agjencisë së Prokurimit Publik rikthen në vëmendje dyshimet mbi mënyrën se si kompania “REJ” ka fituar kontrata publike ndër vite. Rasti ngre gjithashtu pikëpyetje nëse konstatimi për dokumente me të dhëna të rreme do të pasohet edhe nga hetime të tjera nga institucionet ligjzbatuese. /gazetajone