wmremove-transformed-2

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka zbardhur lejen e ndërtimit për një objekt të ri 14-katësh pranë qendrës së Tiranës.

Bëhet fjalë për projektin “Vasarely Tower”, një godinë banimi dhe shërbimi me 1, 13 dhe 14 kate mbi tokë, si dhe 2 kate nëntokë.

Objekti do të ndërtohet në rrugën “Ali Pashë Gucia”, në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Christin” sh.p.k.

Sipas dokumenteve të KKTU-së, zona ku do të ndërtohet objekti ndodhet pranë rrugëve kryesore dhe hapësirave publike me intensitet të lartë.

Në dokumente thuhet se zona ka një përzierje objektesh banimi individuale 1 deri në 2 kate, banesa kolektive të ndërtuara para viteve ’90 dhe ndërtime më të reja me lartësi 9 deri në 12 kate.

Projekti mban emrin “Vasarely Tower”, duke iu referuar artistit hungarez Viktor Vasarely, i njohur për artin optik dhe përdorimin e formave gjeometrike.

Sipas relacionit të projektit, koncepti bazë i kullës frymëzohet nga format e thjeshta gjeometrike dhe kontrastet e forta të ngjyrave, karakteristike për artin e Vasarely-t.

Në dokumentacion thuhet se koncepti i përdorur në Muzeun Vasarely në Aix-en-Provence është interpretuar në këtë rast si një kullë vertikale.

Kulla parashikohet të ketë një plan 12.5 me 12.5 metra dhe një lozhë rrethore, e cila synon të sjellë dritë natyrale në thellësi të apartamenteve.

Fasada do të kombinojë kontrastin bardh e zi me elementë rozë, për të krijuar efekt optik dhe për të reflektuar frymëzimin nga artisti hungarez.

Sipas dokumenteve të KKTU-së, projekti synon të bashkojë funksionalitetin, estetikën dhe konceptin artistik.

Ndërtimi i kullës vjen në një zonë të vjetër të Tiranës, ku vitet e fundit banesat e ulëta janë zëvendësuar gjithnjë e më shumë nga objekte shumëkatëshe.