Mbretëria e Bashkuar po përjeton një vit rekord për temperaturat ekstreme, pasi Zyra Meteorologjike regjistroi 35.2 gradë Celsius në Coton-in-Elms, në Derbyshire, temperatura më e lartë e këtij viti. Sipas meteorologëve, 2026 është tashmë viti me më shumë ditë të nxehta ekstreme të regjistruara ndonjëherë në vend.
Ky është viti i parë në historinë e matjeve meteorologjike në Britani që regjistron temperatura 35°C ose më të larta në tre muaj radhazi – maj, qershor dhe korrik. Deri tani janë regjistruar nëntë ditë me temperatura prej të paktën 34°C, duke thyer rekordin e mëparshëm të viteve 1976 dhe 2020, kur ishin regjistruar pesë ditë të tilla.
Sipas Zyrës Meteorologjike, kulmi i kësaj vale të nxehti pritet të jetë të premten, megjithëse temperatura mbi 30°C do të vijojë edhe gjatë fundjavës në disa zona të vendit.
Meteorologia Amy Doherty tha se viti 2026 ka qenë i jashtëzakonshëm për temperaturat, duke theksuar se rekordet e reja tregojnë intensitetin e valëve të të nxehtit që kanë prekur Mbretërinë e Bashkuar gjatë muajve të fundit.
Ndërkohë, temperaturat e larta kanë shtuar shqetësimet për mungesën e ujit. Kompania Anglian Water vendosi kufizime për rreth 5 milionë klientë në lindje të Anglisë, duke ndaluar përdorimin e zorrëve të ujit për ujitjen e kopshteve, larjen e automjeteve dhe mbushjen e pishinave.
Edhe Affinity Water dhe Southern Water kanë njoftuar masa të ngjashme për shkak të motit të nxehtë dhe rritjes së konsumit të ujit, ndërsa Policia Metropolitane u ka bërë thirrje qytetarëve të përdorin numrin e emergjencës 999 vetëm për raste urgjente, pas rritjes së ndjeshme të telefonatave gjatë valës së të nxehtit.



