Kryeministri Edi Rama duket se po e humb durimin me rrjetet sociale, ndaj ka vendosur të zgjidhë problemin me një lëvizje të thjeshtë, duke bllokuar komentet. Prej ditësh, në profilin e tij zyrtar në Facebook ka nisur një aksion për bllokimin dhe limitimin e komenteve.
Ky veprim ra në sy veçanërisht pas postimeve për koncertin e Kanye West, të cilin kryeministri e quajti “magji”, ndërsa kritikët i kritikoi si zakonisht. Por, sapo qytetarët filluan të kërkonin llogari për 4 milion eurot e buxhetit që u dhanë për këtë aktivitet privat, “magjia” u zhduk dhe komentet u bllokuan. Kur nuk ke çfarë thua, mbyllja e mikrofonit mbetet zgjidhja më komode.
Ky izolim digjital tregon se makineria e vjetër e propagandës po çalon. Për vite me radhë, faqja e tij dominohej nga duartrokitjet e patronazhistëve, por sot as algoritmet nuk po e fshehin dot më realitetin. Justifikimet për shpenzimet e luksit përballë xhepave të zbrazur të shqiptarëve thjesht nuk po pinë më ujë.
Tani që komentet u bllokuan, na mbetet vetëm të shpresojmë që hapi i radhës të mos jetë ndonjë urdhër për policinë që të hetojë ata që i bëjnë “’review” negative në postimet e kryeministrit. Propaganda mund të fshihet pas filtrave të Facebook-ut, por zemërimi i njerëzve nuk zhduket me një klikim.





