-640-0-elbasan-1784577889

Policia e Elbasanit ka dhënë detajet paraprake, për ngjarjen e rëndë që ndodhi këtë mbrëmje, ku mbetën të plagosur tre persona.

Sipas Policisë, ata janë qëlluar nga një person i paidentifikuar, që më pas është larguar me vrap.

Në lokalin ku ka ndodhur ngjarja, bëhet me dije se prezent ka qenë edhe një oficer policie, që ndodhej jashtë orarit të punës, i cili ka ndjekur me vrap autorin e plagosjes.

Ai ka mundur të largohet, ndërsa ka flakur armën e zjarrit.

Njoftimi i Policisë

Elbasan/Informacion paraprak

Rreth orës 20:30, në lagjen “Vullnetari”, Elbasan, në verandën e një lokali, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri, pistoletë, në drejtim të tre shtetasve: A. T., 32 vjeç, R. M., 31 vjeç, dhe B. H., 19 vjeç, të cilët janë  plagosur,  jashtë rrezikut për jetën.

Në momentin e ngjarjes, në brendësi të lokalit ndodhej një oficer policie jashtë shërbimit, i cili, sapo ka dëgjuar të shtënat, ka dalë menjëherë dhe është vënë në ndjekje të autorit.

Gjatë ndjekjes, autori ka hedhur armën e zjarrit dhe ka mundur të largohet në thellësi të lagjes.

Forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën në një perimetër të gjerë dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendin e ngjarjes për sqarimin e plotë të rrethanave, si dhe për sekuestrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit për identifikimin dhe kapjen e autorit.