Screenshot-2026-07-20-223836

Gazetari Armand Shkullaku deklaroi se media ka detyrimin të kontrollojë mënyrën se si administrohen fondet publike dhe të ngrejë pikëpyetje mbi pasuritë dhe standardin e jetesës së zyrtarëve, pa marrë rolin e gjykatës apo prokurorisë.

I ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, Shkullaku tha se gazetarët duhet të hetojnë mënyrën se si përdoren taksat e qytetarëve, procedurat e tenderëve dhe burimin e pasurive të zyrtarëve, duke u mbështetur te faktet dhe informacionet publike.

Si shembull, ai përmendi vilën e kryeministrit Edi Rama në Surrel, duke ngritur pikëpyetje mbi burimin e financimit të saj.

“Detyra e gazetarit është të investigojë ata që administrojnë fondet publike. Ne nuk japim vendime, por shtrojmë pyetje: si janë përdorur taksat, si janë zhvilluar tenderët dhe a ka elementë abuzimi. Nuk jam gjyqtar apo prokuror, por kur shoh fakte që ngrenë dyshime, është detyrë e medias t’i bëjë publike,” u shpreh ai.

Shkullaku shtoi se i njëjti standard duhet të zbatohet për çdo zyrtar publik që, pas hyrjes në politikë, shfaq ndryshime të mëdha në pasuri apo stil jetese.

Sipas tij, në raste të tilla institucionet duhet të verifikojnë nëse pasuritë dhe shpenzimet justifikohen me të ardhurat e deklaruara ose nëse janë financuar nga burime të tjera. Ai kritikoi mungesën e hetimeve të plota mbi pasuritë e funksionarëve publikë, duke theksuar se transparenca financiare është një element thelbësor i llogaridhënies në një shtet demokratik.