-640-0-aksident-1784743591

Aksidenti tragjik pranë TEG-ut, ku humbën jetën dy persona, duket se nuk është një episod i shkëputur nga ajo që po ndodh në rrugët e kryeqytetit. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë një përkeqësim të fortë të situatës së aksidenteve rrugore në Tiranë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Nga janari deri në qershor janë regjistruar 277 aksidente në Tiranë, kundrejt 182 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo përkthehet në një rritje prej rreth 52% brenda vetëm një viti, një nivel dukshëm më i lartë se rritja kombëtare prej 6.8%. Edhe bilanci i personave të përfshirë në aksidente është rënduar.

Në gjashtë muajt e parë të 2025-s në Tiranë u regjistruan 239 persona të vdekur ose të plagosur, ndërsa këtë vit numri është ngjitur në 345, ose rreth 44% më shumë.

Vetëm gjatë muajit qershor, Tirana regjistroi 42 aksidente, nga 25 që kishte në qershorin e vitit të kaluar, ndërsa numri i të vdekurve dhe të plagosurve u rrit nga 30 në 55.

Shifrat ngrenë pikëpyetje serioze mbi atë që ka ndryshuar në trafikun e kryeqytetit dhe mbi efektivitetin e masave të sigurisë rrugore. INSTAT konstaton se në rang vendi 93.9% e aksidenteve të qershorit kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, ku përfshihen shkelja e shpejtësisë, mosrespektimi i sinjalistikës dhe rregullave të tjera të qarkullimit.

Tirana është qarku që regjistron jo vetëm numrin më të lartë të aksidenteve, por edhe rritjen më të fortë në terma absolutë krahasuar me një vit më parë.

Në këtë situatë, drejtuesit e Policisë Rrugore dhe institucionet përgjegjëse duhet të shpjegojnë se çfarë po ndodh në kryeqytet dhe pse, pavarësisht kontrolleve dhe masave të deklaruara, aksidentet janë rritur me mbi 50% brenda një viti.

Ngjarja e rëndë pranë TEG-ut e ka rikthyer edhe një herë vëmendjen te siguria në rrugë, por statistikat tregojnë se problemi është më i gjerë dhe nuk kufizohet te një aksident i vetëm. /skyweb.al