Një skandal i rëndë urbanistik dhe institucional është denoncuar në zemër të kryeqytetit, ku hapësira publike dhe trotuari i qytetarëve janë shndërruar në kantier privat ndërtimi pa asnjë lloj pengese.
Bëhet fjalë për zonën e Ali Demit, konkretisht në rrugën “Kristaq Cipo”, nën juridiksionin e Njësisë Administrative nr. 1. Sipas denoncimit të mbërritur, personi përgjegjës që po lejon dhe po përfitojë nga ky abuzim haptazi është administratorja e kësaj njësie, Trëndelina Jaku.
Rruga “Kristaq Cipo” njihet si një nga akset e brendshme më të ngushta të lagjes, ku në shumë raste dy automjete e kanë të pamundur të kalojnë njëkohësisht.
Megjithatë, kjo nuk ka penguar që mbi trotuarin e destinuar për këmbësorët poshtë pallateve të nisë një ndërtim i ri.
Qytetarët detyrohen të zbresin në mes të rrugës, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e tyre fizike për shkak të ngushtësisë së segmentit.
Ndërtimi po ngrihet pa u shqetësuar nga askush, duke sfiduar hapur ligjin dhe rregullat e urbanistikës, ndërkohë që vetë drejtuesja e njësisë administrative duket se është palë ose toleruese e këtij paligjshmërie.
Përveç zaptimit flagrant të hapësirës publike, denoncuesit hedhin dritë mbi një sërë dyshimesh të forta financiare që lidhen me këtë operacion ndërtimi. Burimet sugjerojnë se pas kësaj lëvizjeje fshihen transaksione për blerje pronash.

Ekzistojnë dyshime serioze se janë përdorur kredi bankare si një mekanizëm për të justifikuar burimin e parave të përfshira në këtë investim dyshues.
Ky rast ngre alarmin për një konflikt të pastër interesi dhe shpërdorim të hapur të detyrës publike nga një zyrtare e cila duhet të jetë e para që mbron interesat e komunitetit dhe pronën publike, e jo t’i shndërrojë ato në favor të interesave personale./Joq



