Autoritet e Greqisë kanë nisur një megaoperacion për kapjen e Alket Rizait, i cili nuk u kthye në burg pas lejes që kishte marrë, gjatë së cilës dyshohet se u përfshi në një shkëmbim zjarri ku u plagosën dy persona. Ngjarja ndodhi përgjatë rrugës Athens–Sounio, në orën 05:00 të mëngjesit të 14 shtatorit, mes dy grupeve dhe ka përfunduar me dy persona të plagosur. Alket Rizai ishte pjesë e njërit prej grupeve të konfliktuar. Pas raportimit për të shtëna, policia mbërriti në vendngjarje, por nuk gjeti akënd përveçse dy gëzhoja dhe njolla gjaku.
Sipas zëdhënëses së Policisë Greke, Constantia Dimoglidou, Rizai duhej të paraqitej në burg në orën 08:00 të mëngjesit të së hënës, më 14 shtator, por nuk u paraqit, shkruan Kathemerini.
“Ai mund të jetë kudo. Meqenëse ai nuk u paraqit në burg, siç duhej, ELAS po e kërkon atë jo vetëm në rajonin e Atikës, ku është parë për herë të fundit pas incidentit në një dyqan kujdesi shëndetësor, por në të gjithë vendin”, deklaroi Dimoglidou për ERT.
Alket Rizai, i cili po vuante një dënim me burgim të përjetshëm, i ishin dhënë edhe 15 leje të tjera nga burgu – midis janarit 2021 dhe 7 shtatorit – përpara asaj të fundit nga e cila nuk u kthye. Rizai kishte marrë më parë 16 leje dhe nuk kishte shkelur asnjërën prej tyre. Kjo është arratisja e pestë për Alket Rizain.
Në vitin 2003, ai ishte personi i dyshuar për vrasjen e biznesmenit grek, Thanasis Koropiotis, pas një keqkuptimi që lidhej me partneren e tij. Në vitin 2006, Rizai u arratis me Vasilis Paleokostas, duke shkaktuar reagime të fortë mbi masat e sigurisë në burgjet greke.
Në gusht të po atij viti, Rizai akuzohet se vrau në Peristeri 43-vjeçarin Konstantinos Koutelieris dhe 36-vjeçarin Ioannis Katsios. Sipas hetimeve, vrasjet u kryen me urdhër të një prej figurave të fuqishme të mafies greke, Vasilis Stefanakos. Sërish, disa ditë më vonë, Rizai u arrestua nga policia. Megjithatë, edhe këtë herë, u arratis përsëri me helikopter në shkurt të vitit 2009 nga Korydallos.
Pasi u arrestua në 2009, ai tentoi një tjetër arratisje në vitin 2013. Këtë herë, zgjodhi një metodë tjetër, duke marrë peng pesë oficerë burgu në Malandrino.



