nafta

Qeveria ka miratuar një tarifë të re për shënjimin e karburanteve, e cila mund të sjellë një rritje të çmimit të naftës dhe benzinës në pikat e furnizimit.

Sipas vendimit, kompanitë që importojnë, tregtojnë dhe shpërndajnë karburante do të paguajnë një tarifë prej 6.5 euro për çdo 1 mijë litra, ose rreth 0.75 lekë për litër, me TVSH të përfshirë.

Tarifa do të mblidhet nga shoqëria “ALBTrace CO”, e cila do të jetë përgjegjëse për procesin e shënjimit të lëndëve djegëse

. Masa është pjesë e rregullave të reja të miratuara nga qeveria për monitorimin, kontrollin dhe gjurmueshmërinë e karburanteve në të gjithë zinxhirin e furnizimit, me synim rritjen e transparencës dhe luftën kundër abuzimeve në treg.

Tarifa do të zbatohet për të gjitha subjektet që importojnë, prodhojnë, rafinojnë, magazinojnë, transportojnë, shpërndajnë ose tregtojnë karburante dhe që kanë detyrime fiskale për këto produkte. Mbikëqyrja e zbatimit të sistemit do të kryhet nga Administrata Doganore, e cila do të përdorë laboratorë të lëvizshëm, analiza në terren dhe sisteme monitorimi për të verifikuar cilësinë dhe përputhshmërinë e karburanteve me standardet ligjore.

Sistemi i ri i shënjimit do të nisë të zbatohet pas përfundimit të një periudhe tranzitore prej 6 muajsh nga hyrja në fuqi e vendimit. Kujtojmë se shërbimi i markimit të karburanteve u krye nga një kompani private nga viti 2013 deri në vitin 2024, ndërsa më pas kaloi në përgjegjësinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.