Meteorologia Lajda Porja parashikon se temperaturat e larta do të vijojnë edhe gjatë muajve shtator dhe tetor, duke e shtyrë praktikisht përpara ardhjen e vjeshtës.
Sipas saj, shtatori pritet të jetë i favorshëm edhe për pushime në bregdet, ndërsa moti i ngrohtë mund të vazhdojë gjatë pjesës më të madhe të tetorit.
Vjeshta mund të nisë realisht në nëntor dhe të shtrihet gjatë dhjetorit, madje pjesërisht edhe në janar.
Porja paralajmëroi se kjo periudhë pritet të jetë shumë e lagësht dhe e shoqëruar me fenomene të forta atmosferike, përfshirë rrëbeshe, stuhi ere dhe reshje me intensitet të lartë.
Ajo e lidhi këtë parashikim me temperaturat e larta të regjistruara gjatë verës dhe me ngrohjen e sipërfaqeve ujore dhe tokësore.
Sipas meteorologes, detet dhe oqeanet kanë arritur temperatura shumë të larta, të krahasueshme me nivelet e vitit 2023.
Kjo energji e grumbulluar mund të prodhojë stuhi të shkurtra, por shumë intensive, veçanërisht gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.
Rreziku i përmbytjeve rritet edhe nga fakti se toka mbetet e thatë pas një vere të gjatë dhe të nxehtë, duke e pasur më të vështirë përthithjen e reshjeve të dendura.
Porja tha se po shfaqen gjithnjë e më shumë fenomene që nuk kanë qenë tipike për klimën mesdhetare, përfshirë stuhi që në disa raste afrohen me karakteristikat e uraganeve të dobëta.
Sipas saj, gjatë vjeshtës mund të mos kemi reshje të qeta dhe të shpërndara në kohë, por episode të shkurtra që mund të sjellin dyfishim apo trefishim të sasive të zakonshme mujore.



