berisha

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një nga personat kryesorë të përfshirë në lojërat e paligjshme të fatit dhe në skemat mashtruese të Call Center-ave. Gjatë një bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se opozita do të kërkojë që Olsi Rama të hetohet jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara, meqenëse ai gëzon shtetësinë shqiptaro-amerikane dhe ligjet e SHBA-ve ndalojnë përfshirjen në veprimtari kriminale edhe jashtë territorit të tyre.

Në fjalën e tij, kreu i PD-së konfirmoi se opozita nuk do ta mbështesë projektligjin për lojërat e fatit, të cilin ai e cilësoi si një ligj të bërë posaçërisht për interesat e Olsi Ramës. Berisha theksoi se vendi i çdo personi të përfshirë në vjedhjen e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj është para ligjit.

Më tej, Berisha u ndal te arrestimi i Ermal Beqirit në Francë, duke kërkuar transparencë të plotë mbi mandatin ndërkombëtar të arrestit. Ai akuzoi SPAK-un se nuk po kryen hetime ndaj Beqirit dhe se prangosja e tij jashtë vendit ndodhi rastësisht, e jo si rezultat i një operacioni të koordinuar. Kryedemokrati kërkoi që të hetohen të gjitha kontratat publike, pasuritë dhe lëvizjet financiare të Beqirit, duke i mëshuar akuzave për lidhje të tij me kryeministrin Rama dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Lidhur me reformën administrative, Berisha deklaroi se reduktimi i njësive vendore nga 410 në 61 bashki ka dëmtuar rëndë zonat rurale duke ndërprerë investimet dhe shërbimet bazë. Sipas tij, kjo politikë bashkë me dobësimin e mbështetjes për bujqësinë dhe shtresat në nevojë ka nxitur një emigracion masiv, të cilin ai e cilësoi si një “gjenocid të butë” demografik për të cilin përgjegjësit duhet të mbajnë llogari.

Berisha iu bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës, të cilën e quajti si “uraganin e lirisë” që ka tronditur qeverinë.