-1000-0-img-9748-6a7346ed129a4

Partia Socialiste duket se ka ndryshuar qasjen për reformën e re territoriale. Pas disa muajsh takimesh në bashki të ndryshme të vendit, të prezantuara si konsultime me qytetarët dhe pushtetin vendor nga Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale, tashmë nismëtari i mazhorancës, Arbjan Mazniku, pranon se debati vendimtar do të zhvillohet në Kuvend.

Në një intervistë për A2 CNN, Mazniku deklaroi se mendimet dhe kundërshtitë për projektin socialist duhet të diskutohen në Komisionin e Ligjeve me nisjen e sesionit parlamentar në shtator, duke sinjalizuar se beteja politike do të zhvendoset nga terreni në sallën e Parlamentit.

Deklarata ngre një sërë pikëpyetjesh mbi procesin e ndjekur deri tani. Nëse debati real do të zhvillohet në Kuvend, çfarë vlere patën muajt e konsultimeve nëpër bashki? A e ka përfunduar tashmë mandatin Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale dhe nëse po, si do të reflektohen kundërshtitë e ngritura nga qytetarët, këshillat bashkiakë dhe vetë kryebashkiakët?

Mazniku i minimizon reagimet në terren, duke i cilësuar ato si përpjekje të disa zyrtarëve lokalë për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të mos humbur postet. Të njëjtin qëndrim ai mban edhe ndaj deputetit socialist të Vlorës, Vullnet Sinaj, i cili ka kërkuar që Selenica të mbetet bashki më vete.

Mazhoranca ka përjashtuar edhe mundësinë e një referendumi për hartën e re territoriale, pavarësisht kërkesave të opozitës. Mazniku i bëri thirrje Partisë Demokratike që betejën ta zhvillojë në Parlament, ndërsa hodhi poshtë edhe pritshmëritë se faktorët ndërkombëtarë mund të ndikojnë në ndalimin e reformës.

Në fund, mesazhi i socialistëve është i qartë: vendimi do të merret në Kuvend, ku shumica parlamentare disponon votat e nevojshme për ta miratuar reformën edhe pa konsensusin e opozitës.

Mbetet për t’u parë nëse seancat në Komisionin e Ligjeve do të jenë konsultime reale mbi hartën e re administrative, apo vetëm hapi formal i një vendimmarrjeje që, sipas sinjaleve të dhëna deri tani, duket se është marrë tashmë.