pune_0

Çdo punëdhënës që shpall një vend të lirë pune do të duhet të bëjë publike edhe intervalin e pagës për pozicionin e ofruar.

Detyrimi i ri parashikohet në projektligjin për ndryshimet në ligjin “Për nxitjen e punësimit”, i cili synon të rrisë transparencën në tregun e punës.

Bizneset nuk do të mund të publikojnë më oferta pune pa dhënë një informacion minimal mbi nivelin e pagesës, pasi në çdo shpallje do të duhet të përcaktohet intervali i pagës.

Relacioni shpjegues thekson se ky detyrim parashikohet për herë të parë, me qëllim që punëkërkuesit të kenë më shumë informacion përpara se të aplikojnë dhe të marrin vendime më të informuara për pozicionet e ofruara.

Projektligji parashikon gjithashtu që punëdhënësit të njoftojnë strukturat përgjegjëse për punësimin për vendet e lira të punës dhe të përditësojnë të dhënat që lidhen me marrëdhëniet e punës.

Në rast largimi nga puna, punëdhënësi do të duhet të deklarojë edhe përfundimin e marrëdhënies së punës, ndërsa informacioni përkatës do t’i përcillet institucionit përgjegjës për punësimin. /skyweb.al