Në fillim të muajit korrik çmimi mesatar i apartamenteve me qira (për të gjitha tipologjitë e pronave për banim) në kryeqytet arriti 721 euro në muaj. Llogaritja e qirasë mesatare u mbështet mbi të dhënat për transaksionet e qirave të agjencisë imobilare CPM të vëna në dispozicion për Monitor.
Me këtë nivel të çmimit të qirasë, e llogaritur me pagën mesatare mujore bruto (sipas nivelit të publikuar nga INSTAT për 3-mujorin e parë 2026), një individ duhet të shpenzojë 77% të të ardhurave të tij mujore bruto ose 97% të të ardhurave neto për përballimin e kostos së strehimit.
Përfshirë shpenzimet e tjera, për produktet e shportës ushqimore, transport, energji etj, përballimi i qirasë për strehim po kthehet në mision të pamundur për shumë familje shqiptare të shtresës së mesme. Mospërballimi i kostos së qirasë po krijon një tendencë të re, sidomos të familjet e reja, që po zgjedhin si alternativë banimi qytetet afër kryeqytetit, teksa vijojnë të punojnë në Tiranë.
Monitor ka kontaktuar disa prej këtyre individëve, kryesisht anëtarë të familjeve të reja, që pohuan se kanë vendosur të largohen nga Tiranë, për shkak të çmimeve të larta të qirave. Tendenca konfirmohet edhe nga ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme.
Stela Dhami menaxhere ekzekutive e agjencisë ndërkombëtare e pasurive të paluajtshme “Colliers International Albania” thotë se shumë familje të reja, po zgjedhin veçanërisht qytetin e Elbasanit, por edhe të Durrësit si alternativë banimi.
Dhami thotë se arsyeja kryesore e këtij zhvendosjeje është pamundësia për të përballuar qiratë gjithnjë e më të larta në Tiranë. Ajo thekson se fenomeni prek kryesisht familjet e shtresës së mesme, të cilat përballen jo vetëm me rritjen e qirasë, por edhe me kostot e shkollave, kopshteve, produkteve të shportës dhe shpenzimeve të tjera të jetesës.
“Tregu i qirave në Elbasan ofron ende apartamente me çmime dukshëm më të ulëta se në Tiranë, duke e bërë qytetin një zgjedhje tërheqëse për ata që punojnë në kryeqytet, por nuk arrijnë të përballojnë kostot e banimit. Çmimet e qirave në Elbasan mund të jenë rreth 30–40% më të ulëta se në Tiranë, ndërsa Durrësi, për shkak të turizmit dhe kërkesës së lartë ka çmime më të larta se Elbasani”, thotë Dhami.
Sipas ekspertes të tregut të pasurive të paluajtshme, kostoja e banimit është faktori kryesor që po ndryshon hartën e zgjedhjeve të banimit për një pjesë të qytetarëve që punojnë në kryeqytet.
“Mendoj se po të kishte transport publik të mjaftueshëm dhe me kosto normale do të kishte edhe më tepër individë që do të zgjidhnin të jetonin në këto qytete, sepse janë shumë afër Tiranës. Ky është një fenomen që ndodh në shumë metropole të botës. Për shkak të çmimeve të larta të qirave dhe mospërballueshmërisë së kostos së jetesës shumë individë jashtë jetojnë në rrethinat e afërta të kryeqytetit”, veçon ndër të tjera Dhami.
Por edhe pse udhëtimi i përditshëm drejt Tiranës dhe trafiku mbeten një tjetër sfidë, sipas ekspertes së tregut të pasurive të paluajtshme, shumë familje po e konsiderojnë këtë një kompromis të pranueshëm përballë kursimit që u sjell qiraja më e ulët. /Monitor



